Fatkeqësia e së Enjtes

 

1) Incidentet në të cilat ata nuk ndoqën tekstet e hadīthit janë të panumërta. Merrni, për shembull, fatkeqësinë e së enjtes, i cili është më i famshmi prej incidenteve të tilla dhe më i urryeshmi. Ai transmetohet nga të gjithë autorët e sahīh-ëve dhe sunen-eve, dhe është dokumentuar nga të gjithë muhadīthët e historianët. Mjafton për ju ajo që transmeton Bukhārīu në kaptinën e tij mbi pohimin e të Dërguarit (s) të sëmurë: “Largohuni prej meje”, në f. 5, vëll. IV i Sahīh-ut të tij, ku ai mbështetet në autoritetin e ‘Ubejdullāh ibn ‘Abdullāh ibn ‘Utbeh ibn Mes’ūdit, që citon Ibn ‘Abbāsin duke thënë se kur të Dërguarit të Allahut (s) iu afrua vdekja, shtëpia e tij ishte plot me njerëz, përfshi ‘Umer ibn el-Khattābin. I Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, tha: “Më lejoni t’ju shkruaj diçka që do t’ju mbrojë përgjithmonë nga të rrëshqiturit, pas meje.” ‘Umeri tha: “I Dërguari i Allahut është nën ndikimin e dhimbjeve dhe ju keni me vete Librin e Allahut; ndaj, na mjafton Libri i Allahut.” Të pranishmit debatuan mes njëri tjetrit e debati i tyre u kthye në grindje. Disa prej tyre thanë: “Ejani pranë Profetit (s) që ai t’ju shkruajë diçka që do t’ju mbrojë nga rrëshqitja pas tij”, ndërsa të tjerët përsëritën ç’kishte thënë ‘Umeri. Kur debati dhe grindja në praninë e Profetit u dendësua, i Dërguari i Allahut (s) u tha atyre: “Largohuni prej meje.” Ibn ‘Abbāsi e kishte zakon të thonte: “Katastrofa, katastrofa e vërtetë, është ajo që e bëri të Dërguarin e Allahut (s) të hiqte dorë nga ajo që dëshironte të shkruante, për shkak të debatit dhe grindjes mes tyre.”

 

       Nuk ka kurrfarë diskutimi lidhur me saktësinë e këtij hadīthi e as rastin në të cilin u shqiptua. Bukhārīu e citon atë në Kitāb ul-‘ilm me nr 114, në f. 22, vëll. I i Sahīh-ut të tij dhe ai ndodhet në mjaft vende të tjera me të cilat studiuesit janë të njohur. Ai e citon atë në shumë vende në Sahīh. Muslimi po ashtu, e citon atë në Sahīh në mbyllje të testamentit të Profetit (s), f. 14, vëll. II. Ahmedi e transmeton hadīthin e Ibn ‘Abbāsit në f. 325, vëll I i Musned-it. Ai përcillet nga të gjithë muhadīthët e historianët, ku secili ia redakton tekstin duke ia ruajtur megjithatë thelbin dhe përsëritur faktin se Profeti (s) u quajt “haluçinues” apo “përçart”. Por ata gjithashtu përmendin se ‘Umeri tha: “Profeti (s) është kapluar nga dhimbja” vetëm për ta lëmuar pohimin dhe zbutur ndjenjat e atyre që ai u dukej indinjues. Ky fakt mbështetet nga ajo që ka pohuar Ebū Bekr Ahmed ibn ‘Abdul-‘Azīz el-Xheuherī në librin e tij es-Sakīfe, i cili mbështetet në autoritetin e Ibn ‘Abbāsit dhe e citon atë duke thënë: “Kur të Dërguarit të Allahut iu afrua vdekja, në shtëpinë e tij ishin të pranishëm disa njerëz, ndër të cilët edhe ‘Umer ibn el-Khattābi. I Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Më sillni bojë e letër që t’ju shkruaj diçka që do ju mbrojë nga të rrëshqiturit pas meje.’ Të pranishmit dalluan mes njëri tjetrit dhe debatuan, disa duke thënë: ‘Afrohuni dhe shikojeni të Dërguarin e Allahut t’ju shkruajë diçka,’ ndërsa të tjerë përsërisnin atë që kishte thënë ‘Umeri. Kur debati e grindja u rritën, i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, u zemërua dhe tha: ‘Largohuni prej meje’” siç pohohet në f. 20, vëll. II i Sherh Nehxhul Belāgës nga dijetari mu‘tezilī.

       Siç e shikoni nga ky hadīth, ai është i qartë në të treguarit se disa individë e transmetuan kundërvënien e ‘Umerit me kuptim, e jo shprehimisht. Kjo vërteton gjithashtu se muhadīthët që nuk dëshironin ta pohonin emrin e personit që kundërshtoi, prapë se prapë ia kishin cituar fjalë për fjalë pohimin. Në kreun e tij mbi shpërblimin e të deleguarve, në Kitāb ul-Xhihād we’l-Sijer, f. 118, vëll. II, Bukhārīu pohon: 

 

Kabseh na transmetoi një hadīth nga Ibn ‘Ajīne, Selmān el-Ehweli dhe Sa‘īd ibn Xhubejri, që citojnë pa ndërprerje Ibn ‘Abbāsin, duke thënë: “Një të enjte, ah çfarë dite ishte ajo e enjte...” dhe shpërtheu në vaj gjersa lotët e tij njomën zallin e atëherë tha: “dhimbja e të Dërguarit të Zotit (s) u rrit të enjten; ndaj, ai urdhëroi t’i sillnim material shkrimi që të na shkruante diçka, e cila do të na mbronte nga rrëshqitja pas tij; por njerëzit debatuan, duke e ditur që askush nuk duhet të debatojë në praninë e një profeti dhe thanë: ‘I Dërguari i Allahut (s) është përçart.’ Ai (s) atëherë u tha: ‘Hiqmuni, sepse dhimbja që kam është më e durueshme se ajo që po më shkaktoni,’ dhe ai la në testamentin e tij para se të vdiste, tri porosi: të nxirreshin politeistët nga toka arabe, të shpërbleheshin të deleguarit ashtu siç i shpërblente ai,’ dhe të tretën e kam harruar.”1

 

       Po ky hadīth transmetohet nga Muslimi në mbyllje të kreut mbi wasijetin në Sahīh dhe nga Ahmedi në hadīthet e Ibn ‘Abbāsit në f. 222, vëll. I i Musned-it, si dhe të gjithë muhadīthët. Në kreun e tij mbi wasijetin, Muslimi citon Sa‘īd ibn Xhubejrin në një vend dhe Ibn ‘Abbāsin në një tjetër, duke thënë: “Asaj të enjte, oh, ç’e enjte ish ajo...” dhe lotët e tij vazhduan të rridhnin gjersa u dukën si perla të radhitura në zinxhir, atëherë ai vazhdoi e tha: “I Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Më sillni një fletë dhe një filxhan me bojë’ ose ‘një fletë dhe ca bojë’, ‘që t’ju shkruaj diçka pas së cilës nuk do të shmangeni kurrë’; atëherë, disa njerëz thanë: ‘I Dërguari i Allahut (s) është përçart’.”2

       Kushdo që e studion këtë incident të urryeshëm nëpër sahīh-ë do ta vërejë shpejt se i pari që tha se i Dërguari i Allahut (s) ishte “përçart” qe padyshim ‘Umeri dhe disa prej të pranishmëve në ato çaste ndoqën shembullin e tij. Në hadīthin e parë, ju i dëgjuat fjalët e Ibn ‘Abbāsit:3 “Të pranishmit në shtëpinë e tij dalluan ndërmjet tyre dhe u grindën, disa thonin: ‘Ejani dhe shikojeni të Dërguarin e Allahut t’ju shkruajë diçka’, ndërsa të tjerë përsërisnin atë që kishte thënë ‘Umeri”, d.m.th. “i Dërguari i Allahut është përçart.” Në një hadīth tjetër të transmetuar nga Taberānīu, në el-Ewset, si dhe në f. 138, vëll. III i Kenz ul-‘Ummāl-it, ‘Umeri citohet duke thënë: “Kur Profeti u sëmur, ai tha: ‘Më sillni një fletë shkrimi dhe një filxhan me bojë, që t’ju shkruaj diçka pas së cilës s’do të rrëshqisni kurrë’; atëherë, gratë pas perdes thanë: ‘A s’e dëgjuat atë që tha i Dërguari i Allahut?’ Unë u thashë: ‘Ju jeni si gratë që admiruan Jusūfin; kur i Dërguari i Allahut (s) sëmuret, ju shtrydhni sytë, e kur shëndoshet, i hipni në qafë!” ‘Umeri vazhdon e tregon: “Atëherë, I Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Lëri ato, se janë më të mira se ti’!”

 

       Ju mund ta shihni se ata nuk e përqafuan kurrë frymën e këtij hadīthi. Sikur ta kishin bërë, ata do të ishin mbrojtur përgjithmonë nga devijimi. Sa do të donim që ata të ishin ndalur vetëm tek të qenurit të pabindur, e të mos i ishin përgjigjur atij me fjalët: “Na mjafton Libri i Allahut,” thua se ai nuk e dinte statusin e Librit të Allahut mes tyre, apo se ata ishin më të ditur se ai mbi veçoritë dhe meritat e tij. Sa do të donim që ata të ishin kënaqur me të tëra këto, e jo ta kishin befasuar me pohimin e tyre të vrazhdë: “I Dërguari i Allahut është përçart” pikërisht kur atë po e mundonte agonia e vdekjes. Çfarë lamtumire për të Dërguarin e Allahut (s)! Ata s’e zbatuan urdhrin e Profetit (s) për shkak të, siç pretendonin ata, të mjaftuarit e tyre me Librin e Allahut, thua se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë ajetin: {Çfarëdo t’ju japë i Dërguari i Allahut, merreni, dhe çfarëdo që t’jua ndalojë, bindjuni!} (59:7). Ata thanë: “I Dërguari i Allahut është përçart”, thua se nuk e kishin dëgjuar kurrë ajetin: {Kjo është fjala e të Dërguarit fisnik, të fuqizuar nga Zoti i Arshit, i respektuar dhe besnik; vërtet, shoku juaj nuk është i lojtur} (81:19-22); dhe pohimin e të Lartit, të Gjithdijshmit: {Ajo është fjalë e (Zotit nga goja e) të Dërguarit të ndershëm, jo e ndonjë poeti: sa pak besoni; nuk është as fjalë e ndonjë falltori: sa pak kujtoheni! Ajo është shpallje e Zotit të botëve} (69:40-3)’ dhe fjalën e Fuqiplotit, të Madhëruarit: {Shoku juaj as ka rrëshqitur e as që është mashtruar; ai nuk flet nga mendja e tij, ajo s’është veçse shpallje që i shpallet; atë ia mëson i fuqishmi} (53:2-5), krahas shumë ajeteve të tilla plot urti hyjnore, që e dëshmojnë të gjitha si të mbrojtur nga Zoti kundër përçartjes.

 

       Madje, edhe arsyeja e dëshmon këtë, por ata ishin të vetëdijshëm për faktin se i Dërguari i Allahut (s) dëshiroi ta përforconte zotimin e khilāfetit dhe ta theksonte të qenit e tij e drejta e ‘Alīut në veçanti dhe e Imamëve nga pasardhja e pastruar në përgjithësi; prandaj, ata u vendosën si një bllok për ta penguar atë, siç e pranoi askush tjetër por vetë khalīfi i dytë në një bisedë private që ai pati me Ibn ‘Abbāsin...! Ajo ndodhet në rreshtin 27, f. 114, vëll. III i Sherh Nehxhul Belāgës nga Ibn Ebī’l-Hadīdi.

       Nëse shqyrtoni pohimin e tij: “Më sillni një fletë e një filxhan boje, që t’ju shkruaj diçka me anë të së cilës nuk do rrëshqisni kurrë pas meje”, dhe pohimin e tij në hadīthin e Dy Gjërave me Peshë: “Po lë me ju atë së cilës, për sa kohë t’i përmbaheni, nuk do ju lërë kurrë të rrëshqisni: Librin e Allahut dhe Ehl ul-Bejtin”, ju do ta kuptoni se qëllimi i të dyja hadītheve është i njëjtë dhe se ai (s) dëshiroi, edhe duke qenë i sëmurë, t’i shkruante për ta hollësirat e urdhëresave të përfshira në Hadīthin e Thekalejnit.

 

2) Ai e tërhoqi urdhrin e tij ndaj tyre për shkak të pohimit me të cilin ata e befasuan, duke e detyruar të ndërrojë mendje, ngase pas shqiptimit të tij nuk do të kishte asnjë efekt që ai t’ua shkruante atë, përveç grindjes dhe përçarjes, që do t’i çonte ata të diskutonin nëse ai ishte vërtet përçart, estaghfīru’Llāh, apo jo, pikërisht siç bënë madje edhe në prani të tij, kur ai mund t’i shihte, aq sa ai s’mundi t’u thonte më shumë se të iknin tutje, siç e patë. Sikur ai të kishte këmbëngulur për ta shkruar, ata do t’i ishin rikthyer pretendimit të tyre se ai e kishte shkruar atë në kllapi, dhe shumë prej pasuesve të tyre do të kishin shkuar në ekstreme në përpjekje për të vërtetuar se ai e bëri këtë duke qenë përçart, estaghfīru’Llāh dhe do të kishin mbushur librat e tyre me akuza të tilla, si e si ta refuzonin shkrimin e tij dhe ta përdornin si pretekst të moszbatimit të tij.

 

       Për këto arsye, urtia e tij e mrekullueshme vendosi që ai, paqe pastë mbi të e familjen e tij, ta linte një shkrim të tillë nga frika se kundërshtuesit e dëshirës së tij dhe pasuesit e tyre mund të hapnin shteg për të hedhur dyshim mbi vetë profetësinë; kërkojmë strehim tek Allahu, dhe i lutemi për ndihmë. Ai (s) e pa se si ‘Alīu dhe përkrahësit e tij do t’i ishin bindur idesë së një shkrimi të tillë, qoftë e shkruar apo jo, ndërsa të tjerët nuk do të vepronin sipas tij edhe sikur ta shkruante. Mençuria, atëherë, e kërkoi që ai ta linte atë ngase ajo s’do të kishte patur asnjë efekt përballë kundërshtimit që lindi, përveç përçarjes, siç shihet qartë, Wesselam.