Imami i parë i familjes profetike

PRIJËSI I BESIMTARËVE, ALI IBN EBU TALIBI(Paqja qoftë mbi të!)

 

Një dritare për t’u njohur me personalitetin e Ali ibn ebu Talibit

 

Është një nder i madh të njohësh Ali ibn ebu Talibin, Prijësin e të devotshmëve dhe të besimtarëve. Ai ishte trashëgimtari i diturive të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe një burim shembujsh mirësish dhe vlerash njerëzore.

 

Në këtë rast, është lapsi im ai që ndihet i privilegjuar të shkruajë në letër atë që ka jetuar ky personalitet. Por shkrimin më të rëndësishëm, e ka bërë ai vetë, duke demonstruar me jetën e tij, të gjitha normat më të bukura të moralit, të fisnikërisë, saqë ne sot vetëm mbetemi gojëhapur përballë atyre shembujve. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe për një personalitet, i rritur që në vegjëli nën përkujdesjen e të Dërguarit të Allahut. Vetë jeta e tij dëshmoi më së miri edukatën e tij të lartë, moralin e tij të bukur dhe fisnikërinë shembullore.

 

Imam El Axherij thotë: “Allahu i Madhëruar, e ka nderuar Imam Aliun duke i dhënë atij një pozitë të lartë në këtë botë, duke e bërë shembull të mirë për të gjithë. Ai e begatoi atë duke i dhënë lidhje shumë të ngushtë gjaku me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ishte jo vetëm djali i xhaxhait i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), por edhe dhëndër i tij, pasi u martua me vajzën e tij, Fatime Zahra. Jo vetëm kaq, por martesën e tyre e begatoi, duke i dhënë dy pasardhës, Hasanin dhe Hysejnin. Imam Aliu ishte një prej mbështetësve më të mëdhenj të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), duke qenë mbrojtësi dhe ndihmuesi i tij kryesor. Ai e donte Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e donin atë. (Zoti qoftë i kënaqur prej tij!)”

(Transmeton Muhakkik El Zehui, në hyrjen e librit të tij “Khasais imam Ali”; Nesai, “esh Sheriatu”, 3/119.)

 

Vlerat e Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) janë të shumta. Ato janë të transmetuara si nga dijetarët e Ehli Bejtit, ashtu edhe nga dijetarët e Ehli Sunetit, të cilat do t’i paraqesim më poshtë. Përpara se t’i paraqesim ato, le të bëjmë një paraqitje se kush ishte Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!).

 

Emri i tij ishte, Ali, i biri i Talibit, i biri i Abdul Mutalibit. Babai i Hasanit dhe i Hysejnit. Nëna e tij quhej, Fatime, e bija e Esedit, i biri i Hishamit, i biri i Abdul-Menafit, prej fisit Hashimij. Në të njëjtën kohë, ishte edhe vajza e xhaxhait e Ebu Talibit. Ajo ishte ndër njerëzit që emigruan në Medine. 

(Dhehebi, “Tarikhul Islam”,Hauadith ue Fejat (11-40 h) koha e hilafetit: 621. Shtëpia botuese “Kitabul Arabi”.)

 

Gjithashtu, ajo është e para grua nga fisi Hashimi, e cila lindi një hashimi. Me vonë, ajo u bë myslimane dhe emigroi për në Medine.

(Sujuti, “Tarikhul Khulefa”, 128, shtëpia botuese “Kitabul Arabi”.)

 

Ajo ishte një zonjë me një pozitë të rëndësishme në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ndërroi jetë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe i Dërguari i Allahut i fali asaj namazin e xhenazesë.

(El Mustedrek ala Sahihajn”, 3/108, shtëpia botuese, “Darul Ma'rife”.)

 

Enes bin Maliku transmeton: “Kur ndërroi jetë nëna e Aliut, vajza e Esedit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) hyri në dhomën e saj, qëndroi pranë saj dhe i tha: “Allahu të mëshiroftë, o nëna ime! Ti, u bëre nënë e dytë për mua. Vetë ndenje e uritur, ndërsa mua më ushqeve. Vetë u kurseve në veshje, ndërsa mua më veshe. E me të gjitha këto, kërkove kënaqësinë e Allahut dhe të fitoje më të mirën në Ahiret.”

 

Më pas, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) urdhëroi që trupi i saj i pajetë, të lahej. Pasi i sollën ujë me kamfur, (Lëndë e bardhë, e kristaltë, me erë të fortë, që nxirret nga një lloj druri i Lindjes së Largët, me fletë si dafina.)

i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) e spërkati trupin e saj. Hoqi këmishën e tij dhe ia veshi nënë Fatimes si qefin. Më pas, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), thirri Usame bin Zejdin, Ebu Ejub Ensarin, Omer bin Khatabin dhe një djalë me ngjyrë, që t’i përgatisnin asaj gropën e varrit. Kur ata mbërritën në fund të tabanit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) e gërmoi vetë pjesën që kishte mbetur me dorën e tij. Pasi mbaroi, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) u ul mbi hapësirën e varrit dhe tha: “Allahu është Ai që jep jetën dhe e merr atë. Ai është i Gjalli që nuk vdes kurrë. Falja gabimet nënës sime, Fatime binti Esedit! Shtija asaj në mendje gjërat e nevojshme gjatë telkinit! Zgjeroja vendqëndrimin asaj, për hatër të të Dërguarit Tënd dhe të Dërguarve të tjerë para meje! Ti je Mëshiruesi i Mëshiruesve!”2

(Taberani, “El Mu`xhemul Kebir”: 24,351, shtëpia botuese “Ihjai Turathul Arabi”.)

 

Imam Aliu lindi në qytetin e Mekës, në xhaminë Haram (Qabe), ditën e xhuma, më datë trembëdhjetë Rexheb, ose tridhjetë vite pas ndodhisë së elefantit.(“El Irshad lil Mufid”: 1/5, muessetu “Alel Bejt”.)

Transmetohet nga Hakimi, mendimin e të cilit e mbështet edhe Dhehebiu, se nëna e Imam Aliut (Allahu ia ndriçoftë fytyrën!), Fatime bintu Esed, e lindi djalin e saj brenda në Qabe.

(Dhehebi, “El Mustedrek ala Sahihajni”, “Telkhisul Mustedrek”, 3/48, shtëpia botuese “Ma'rifet”.)

 

Një nga epitetet e tij, është Ebul Hasan (babai i Hasanit). I Dërguari i Allahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) i vendosi një epitet tjetër, i cili është, Ebu Turab (babai i tokës).3

 

Kjo, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) e pa atë një ditë teksa po qëndronte gjatë në sexhde mbi dhè. Disa nga epitetet e tjera të tij, janë: Ebul Husejn, Ebu Sibtejn dhe Ebu Rrihatejn,4

 

Emirul Mu`minin5,

 

el Murteda uel Uesa. Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka emërtuar edhe me epitetet, Sejjidul Muslimin (zotëria i myslimanëve), Imamul muttekin (Prijësi i të devotshmëve), Kaidul Gurril Muhaxh'xhelijn, Sejjidul Eusija, Sejjidul Arab.6