Sureja Al-i Imran

 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Ai është që ta zbriti librin ty. Në të ka ajete të qarta (muhkem) dhe ato janë baza e librit. Ka edhe të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih). Ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata e ndjekin atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë tevilin e tyre. Por, askush nuk e di tevilin e tyre të saktë përveç Allahut dhe ata që janë thelluar në dituri. Ata thonë: “Ne u kemi besuar atij, të gjitha janë nga Zoti ynë”! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes”.

 

 

Në lidhje me tevilin e fshehtë të ajetit, Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ai është që ta zbriti librin ty. Në të ka ajete të qarta (muhkem) dhe ato janë baza e librit. Ajetet e qarta (muhkem) janë Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit. Ndërsa, një pjesë është më pak e qartë (muteshabih), gjegjësisht ata janë Ebu Bekri, Ymeri dhe Osmani. Ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, këta të tretë dhe sahabet e tyre, e ndjekin atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë tevilin e tyre. Ndërsa, tevilin e tyre të vërtetë nuk e di askush tjetër përveç Allahut dhe ata që janë thelluar në dituri, gjegjësisht Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit."

 

Në një rrëfim tjetër, Imami thotë:

“Ne jemi ata që jemi thelluar në dituri. Ne e dimë tevilin e Kuranit”.

Imam Muhamed Bakiri thotë: “Resulullahu është më i virtytshmi prej atyre që janë thelluar në dituri. Allahu i Madhëruar ia mësoi të dërguarit të Tij tërë diturinë dhe tevilin e Kuranit. Allahu nuk zbriti asgjë pa ia mësuar tevilin. Trashëgimtarët e të Dërguarit (s.a.v.) (dymbëdhjetë Imamët e Ehli Bejtit) i dinë të gjitha tevilet. Si të mos i dinë ata kur ata ishin fillimi i diturisë. Në fund dituria do të kthehet tek ata. Ata janë qendra dhe miniera e diturisë”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Çdo ajet që ka zbritur përmban kuptimin e jashtëm dhe në kuptimin e brendshëm përmban edhe tevilin. Brenda tevilëve të fshehtë përmbahen lajmet për të kaluarën dhe të ardhmen. Ata vazhdojnë sikur lëvizjet e diellit dhe të hënës. Tevili i një ajeti mund të realizohet për ata që janë të gjallë dhe për ata që kanë vdekur. Allahu i Madhëruar ka thënë: askush nuk e di tevilin e tyre të saktë përveç Allahut dhe ata që janë thelluar në dituri. Ne jemi ata që e dinë tevilin e Kuranit."

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Një ditë erdhi Xhebraili (a.s) te Resulullahu (s.a.v.) dhe ia solli dy shega. Resulullahu (s.a.v.) e hëngri njërin ndërsa të dytën e ndau në dy pjesë dhe ia dha Aliut një pjesë. Mbasi që e hëngrën shegën e dytë, Resulullahu (s.a.v.) ia tha Aliut: ‘O vëllai im! A e di kuptimin e këtyre dy shegëve?’. Aliu tha: ‘Jo, nuk e di’. Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Shega e parë ishte nubuveti (pejgmaberllëku). Aty nuk ka pjesë për ty, prandaj e hëngra vet. Por, shega e dytë ishte dituria dhe ti je ortak me mua aty’. Çkado që Allahu ia mësonte të Dërguarit (s.a.v.), Ai e urdhëronte që të njëjtën t’ia mësojë edhe Aliut. Kështu vazhdoi përderisa dituria erdhi deri te na”.

 

Njëri prej sahabeve të Imam Xhafer Sadikut ia parashtroi një pyetje Imamit:

“U flijoftë shpirti im për ty! Dëshiroj të të pyes një pyetje. A është edhe dikush tjetër në shtëpi?’.

Imami shikoi se mos është ndokush në shtëpi dhe pastaj tha: ‘O Ebu Muhamed! Mund të pyesësh’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Shpirti im u flijoftë për ty! Ithtarët (shiitët) tuaj më thanë se i Dërguari (s.a.v.) paska treguar Aliut një derë të diturisë dhe kjo derë po hapka edhe njëmijë dyer tjera, çka thua për këtë?’.

‘O Ebu Muhamed! Me të vërtetë Resulullahu (s.a.v.) ia ka mësuar një derë Aliut që i hap njëmijë dyer tjera’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Betohem në Allah se kjo është dituria e vërtetë’.

Imami tha: ‘Po, por kjo dituri nuk është e tërë dituria.

O Ebu Muhamed, te ne është një dituri që i tubon të gjitha gjërat në një vend dhe atë nuk mund ta dijë askush!’

Ebu Muhamedi tha: ‘Shpirti im u flijoftë për ty! Cila është ajo dituri që i tubon të gjitha gjërat në një vend?’.

Imami tha: ‘Ajo është një sahife (fletë) që brenda saj është tërë dituria. Gjatësia e saj është sa shtatëdhjetë hapa të të Dërguarit (s.a.v.). Ngjyra e shkrimit të saj është në gojën e të Dërguarit (s.a.v.) të bekuar. Në atë sahife janë të gjitha hallallet, haramat dhe të gjitha çështjet e njerëzve. Madje, ka dituri edhe për shpagesën më të vogël’.

Imami e zgjati dorën e tij te sahabeja dhe tha: ‘Nëse më lejon, do ta shtrëngoj pak dorën tënde’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Shpirti im u flijoftë për ty! Vepro si të duash’.

Mbasi që ia shtrëngoi dorën pakëz Ebu Muhamedit, vazhdoi: ‘Në atë sahife ka shpagesë edhe për këtë shqetësim që të kam shkaktuar, duke të shtrënguar dorën’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Betohem në Allah se kjo është dituria e vërtetë’.

Imami vazhdoi: ‘Kjo është dituria, por nuk është e tëra’. Mbasi që e uli kokën për një çast, Imami vazhdoi: ‘Te ne është dituria e xhifrit, që athua a e di ndonjëri se çka do të thotë kjo?’.

Ebu Muhamedi pyeti: ‘Çka është dituria e xhifrit?’.

Imami tha: ‘Një dituri që ka mbetur prej Ademit (a.s), brenda një ene, që e përfshin diturinë e të dërguarve dhe të trashëgimtarëve të tyre, dhe diturinë e të gjithë dijetarëve të kaluar të Beni Israelit’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Kjo është dituria!’. Imami vazhdoi: ‘Por, nuk është e tërë dituria’.

Imami e uli kokën për një çast dhe vazhdoi: Te ne është mus-hafi i Fatimes (paqja e Allahut qoftë mbi të). Si mund të dinë ata se çka është mus-hafi i Fatimes’.

Ebu Muhamedi pyeti: ‘Çka është mus-hafi i Fatimes, paqja e Allahut qoftë mbi të’.

Imami vazhdoi: ‘Brenda këtij mus-hafi janë përfshirë sa tre Kurana që e keni ju në dorë. Betohem në Allah se nuk ka asnjë shkronjë prej saj që gjendet në Kuran’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Betohem në Allah se kjo është vetë dituria’.

Imami tha: ‘Kjo është dituria, por nuk është e tëra’. Mbasi që heshti për një kohë, Imami vazhdoi: ‘Te ne është dituria e të gjitha ndodhive që janë shfaqur dhe që do të shfaqen deri në Ditën e Kiametit’.

Ebu Muhamedi tha: ‘Betohem në Allah që kjo është dituria’.

Imami tha: ‘Po, por nuk është e tëra’. Ebu Muhamedi pyeti: ‘U flijoftë shpirti im për ty. Më trego atëherë se çka është dituria?’ Imami tha: ‘Dituria është çdo lëvizje që shfaqet gjatë ditës dhe natës, urdhrat që vijnë mbas urdhrave dhe të gjitha gjërat që do të vijnë deri në Ditën e Kiametit’”.

 

Në një vend tjetër, Imam Xhafer Sadiku ka thënë sahabeve që ishin të pranishëm:

‘Unë kam dituri për atë se çka ka në qiej dhe në tokë si dhe për gjërat që ndodhin në Xhenet dhe Xhehenem”.

Prej fytyrave të tyre Imami vërejti se kjo ishte e rëndë për ata dhe mbasi që heshti pakëz, tha: ‘Të gjitha këto i kam mësuar prej Librit të Allahut. Sepse Allahu ka thënë: ‘Në Kuran ka sqarim për çdo send’ (Nahl, 89)”

 

Nuk dyshojmë në atë se këto rrëfime që i paraqitëm në lidhje me gradat e diturive të Imamëve janë të rënda për disa lexues. Por, nëse i shikoni librat burimore synnite do të hasni në hadithe të ngjashme që e tregojnë gradën e Imamëve të Ehli Bejtit. Këtu do të përmendim disa hadithe që kanë të bëjnë me gradën e Imam Aliu. Qëllimi i ynë është të vërtetojmë se rrëfimet që vijnë nga Ehli Bejti nuk bazohen në të tepruarit.

 

Hadithi 1:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Unë jam qyteti i diturisë, Aliu është dera e tij. Kush dëshiron dituri, le të vijë te dera”

Nga ky hadith e kemi të qartë se Imam Aliu ishte ortaku i tërë diturisë së Resulullahut (s.a.v.). Në mes të dërguarit dhe trashëgimtarit dallimi është vetëm te grada e pejgamberllëkut

 

Hadithi 2:

Imam Aliu ka thënë:

“Resulullahu më ka mësuar njëmijë dyer dhe çdo derë prej tyre hap nga njëmijë dyer tjera”.

Çka është e çuditshme për njërin nëse ka dituri për ndodhitë në qiej dhe në tokë kur i zotëron gjithë këto degë të diturive të gjera?

 

Hadithi 3:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Allahu më ka urdhëruar që të mësojë çdo gjë dhe që të mos mbajë larg prej diturisë që e zotëroj. Të mësuarit tënd me dituritë e mija është një detyrë që më takon me hak. Ndërsa, detyra jote që të takon me hak është të mos i harrosh mësimet e mija”. Mbas kësaj, Imam Aliu ka thoshte gjithnjë: “Nuk kam harruar asgjë që kam dëgjuar prej Resulullahut (s.a.v.)”

Imam Aliu nuk ishte prej njerëzve të thjeshtë që të harronte atë që kishte mësuar. Kështu, është e mundur që dituria të mbetet dhe të thellohet tek ai.

 

Hadithi 4:

Imam Aliu ka thënë:

“Betohem në Allah se kam përgjigje për çdo pyetje të juaj. Më pyetni! Më pyetni për gjithçka çka ka në mes qiellit dhe tokës! Më pyetni nga Libri i Allahut! T’ju tregoj për çdo ajet, a ka zbritur ditën, natën, në rrafshinë apo mal”. Në një rrëfim tjetër, thuhet: “Më pyetni! Betohem në Allah se nëse më pyetni për ndodhitë deri në Ditën e Kiametit, do t’ju informoj për të gjitha”.

 

Hadithi 5:

Resulullahu (s.a.v.) i ka thënë vajzës së tij:

“O Fatime! A je e kënaqur që të martoj me dijetarin më të madh brenda ymmetit?”

 

Hadithi 6:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Mbas meje, më i dituri i ymmetit është Aliu”

 

Hadithi 7:

Mbas ndërrimit jetë të Imam Aliut, Imam Hasani hipi në mimber dhe tha:

“O Njerëz! Sot është ndarë prej juve njëri, që as ata para tij as ata mbas tij nuk mund ta arrijnë diturinë e tij”.

 

Hadithi 8:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Unë jam shtëpia e diturisë dhe Aliu është dera e saj. Kush dëshiron urtësi, le të vijë te dera e saj”.

 

Hadithi 9:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Mbas meje, ti do të jesh zgjedhësi i mosmarrëveshjeve brenda ymmetit”.

 

Hadithi 10:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Prej mesit të ymmetit, gjykimin më të drejtë do ta japë Aliu”.

 

Hadithi 11:

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Sikur që kam luftuar gjatë zbritjes së Kuranit, ashtu edhe do të luftojë njëri prej mesit tuaj për tevilin e Kuranit”. Ebu Bekri, që ishte i pranishëm, pyeti: “A jam unë ai person, o Resulullah”. Resulullahu (s.a.v.) tha: “Jo, ti nuk je ai”. Pastaj, Ymeri pyeti: “A jam unë ai person, o Resulullah”. Resulullahu (s.a.v.) tha: “Jo, nuk je ti. Ai person është duke i riparuar sandalet e mija”. Hz Aliu ishte duke i riparuar sandalet e të Dërguarit (s.a.v.) në shtëpi."

 

Mbas këtyre haditheve të lartcekura nuk e shohim të nevojshëm sqarimin e mëtejmë të kësaj çështjeje. Por, nuk do të mund të kalojmë pa i prekur edhe disa çështje  që duhet që të dihen. Në çdo kohë, i Dërguari (s.a.v.) na ka bërë të qartë se Imam Aliu është zotëruesi i diturisë së të Dërguarit (s.a.v.) brenda ymmetit në mënyrë më të përkryer dhe se ka bërë thirrje haptas kah dera e tij. Duke u bazuar në këtë që thamë, më nuk është e drejtë që të dyshojmë në diturinë e Imam Aliut. Duke u bazuar në hadithin e fundit që përmendëm, Imam Aliu do të luftojë për tevilin e Kuranit. Sigurisht që nuk mund të presim nga i Dërguari (s.a.v.) që të sjellë në këtë pozitë një person që nuk e di tevilin.

Nga hadithet e lartcekura na është e qartë se i Dërguari (s.a.v.) i ka marrë parasysh të gjitha masat paraprake para se ta emërojë Imam Aliun si trashëgimtar të ymmetit të tij. Ne ju kemi prezantuar hadithet nga të gjitha librat burimor dhe ju takon juve që të jepni vendimin për të vërtetën. Po ju përkujtojmë edhe një herë se këto hadithet e renditura më lart janë marrë prej librave më të rëndësishme burimore.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 18

 “Allahu dëshmoi  se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatuesi i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Dijetarët që përmenden në këtë ajet janë të dërguarit dhe trashëgimtarët e tyre. Ata e kanë zbatuar drejtësinë. Ndërsa, kuptimi i brendshëm i drejtësisë është Urdhëruesi i Besimtarëve Aliu”.

Imam Ali er-Riza ka thënë:

“Me dijetarët në këtë ajet nënkuptohen imamët”.

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Ne jemi pronarët e përkujtimit (ziqrit) dhe të diturisë. Te ne gjenden të gjitha urdhrat e hallallit dhe të haramit”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 33-34

“Allahu e zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë, që janë pasardhës njëri prej tjetrit. Allahu është Dëgjues dhe i Dijshëm”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri dhe Imam Xhafer Sadiku kanë thënë:

“Esenca e këtij ajeti është ky: “Allahu e zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit dhe familjen e Muhamedit (Ehli Bejtin) mbi popujt tjerë, që janë pasardhës njëri prej tjetrit”.

 

Në bazë të shumë rrëfimeve burimore që vijnë nga Imamët e Ehli Bejtit, ajeti në fjalë duhet që të lexohet në këtë mënyrë. Pse të mos e përmendi Allahu i Madhëruar familjen e Muhamedit, e cila familje është më e virtytshme, kur i përmend pejgamberët e mëhershëm dhe familjet e tyre që janë të lartësuar mbi të gjithë popujt tjerë?

Sipas leximit të Imamëve të Ehli Bejtit është përmendur edhe Ehli Bejti. Por, armiqtë e Ehli Bejtit nuk e kanë lexuar kështu dhe e kanë nxjerrë atë prej Kuranit. Në lidhje me këtë, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Një grup nga mesi juaj sikur gëzohet kur përmenden familjet e Ibrahimit dhe e Imranit.

Por, kur përmendet Ehli Bejti i Muhamedit, fytyra e tyre zbehet dhe u vjen rëndë; çka është me ju? Betohem me Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse të tillët dalin para Allahut me veprat e shtatëdhjetë të dërguarve, veprat e të tillëve nuk do t’i pranojë Allahu përderisa të mos jenë brenda velajetit tim dhe të Ali bin Ebi Talibit”.

 

Nuk ka dyshim se Imamët e Ehli Bejtit janë prej pasardhësve të të dërguarve. Një ditë, Imam Aliu kërkoi nga Imam Hasani që të hip në mimber dhe t’u flas njerëzve. Ai tha: “...por dijeni që Aliu është një derë; ai që hyn brenda përmes saj është besimtar, ai që mbetet jashtë është qafir!”. Imam Aliu u ngrit në këmbë, e puthi në ballë Imam Hasanin dhe e lexoi këtë ajet: “që janë pasardhës njëri prej tjetrit. Allahu është Dëgjues dhe i Dijshëm”

 

Një ditë, i Dërguari (s.a.v.) kishte shkuar te shtëpia e Fatimes dhe aty ishin duke polemizuar Ajsha dhe Fatimja. Ajsha u mburr ndaj Fatimes dhe i Dërguari (s.a.v.) tha:

“O Ajshe! A nuk e di se Allahu i ka zgjedhur mbi popujt tjerë Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe Imranit, Aliun, Hasanin, Hysejnin, Fatimen dhe Hadixhen.”

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Ne jemi pasardhësit e familjeve që përmenden në ajet”

 

I Dërguari (s.a.v.) e kishte dërguar Imam Aliun në Jemen bashkë me ushtarët. Aty përfituan pre të luftës (ganimed) dhe Imam Aliu kishte ndarë për vete një robëreshë. Halid ibn Velidi e dërgoi njërin prej sahabeve, Burejden, në Medine për t’u ankuar të Dërguarit (s.a.v.). Kur Burejde mbërriti në Medine, u takua me sahabet që qëndronin përpara xhamisë. Sahabet e pyetën:

“O Burejde! Çfarë lajmi na ke sjellë?”.

Burejde tha: “Allahu ua dha fitoren myslimanëve dhe ata fituan aq shumë pre të luftës, që asnjëherë nuk kanë fituar deri më tani”.

Sahabet e pyetën: “Po, pse je kthyer në Medine para ushtrisë?”.

Burejde iu përgjigj: “Më dërgoi Velidi që të ankohem te Resulullahu (s.a.v.) se Aliu ka marrë për vete një robëreshë sipas dëshirës së tij”.

Sahabet i thanë: “Mirë, shko tregoji Resulullahut (s.a.v.) se çka ka bërë Aliu, ndoshta do të bie vlera e Aliut në sytë e tij”.

 

Ndërsa, Resulullahu i kishte dëgjuar fjalët e tyre. Ai doli jashtë i zemëruar dhe tha:

“Çka është kështu me këtë popull që janë duke e poshtëruar Aliun? Ai që e poshtëron Aliun, më ka poshtëruar mua! Ai që e ka braktisur Aliun, më ka braktisur mua! Aliu është prej meje dhe unë jam prej Aliut. Ai është krijuar prej karakterit tim. Unë jam krijuar prej karakterit të Ibrahimit. Unë jam më i virtytshëm se Ibrahimi dhe virtyti i Ibrahimit kthehet tek unë. Ne jemi pasardhës të njëri tjetrit. Turp për ty o Burejde! A nuk e di se haku i Aliut prej presë së luftës është një robëreshë më shumë sesa të tjerët?”

Kur i dëgjoi këto dhe e vërejti se i Dërguari (s.a.v.) ishte zemëruar, Burejde tha:

“O Resulullah! Për hir të miqësisë që kam me ty, ma zgjat dorën që të mund të betohem edhe një herë për fenë Islame”.  Burejde e ripërtëriu betimin dhe u largua.

 

Hadithi i lartpërmendur mund të lexohet në librat burimor synnit: librin ‘Sahih’ të Tirmidhiut; librin ‘Musned’ të Ahmed bin Hanbelit; librin ‘Hasais’ të Neseit; librin ‘Musned’ të Ebu Davudit et-Tajalisit; librin ‘Hiljetul Evlija’ të Ebu Nuajmit; librin ‘Kenzul Uman’ të Muttaki el Hindit...

 

Nëse hyjmë në analizën e hadithit, do të vërejmë se sa e thellë ka qenë armiqësia dhe urrejtja që e ushqenin sahabet kundrejt Imam Aliut. Për ne është me rëndësi që Hz Aliu është prej pasardhësve të të dërguarve dhe i krijuar prej karakterit të të Dërguarit (s.a.v.)  

 

Mbasi që iu dha betimi Ebu Bekir bin Kuhafes, Ebu Zerri hyri në xhami dhe iu drejtua masës së njerëzve që ishin prezent aty: “Allahu e zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë, që janë pasardhës njëri prej tjetrit. Allahu është Dëgjues dhe i Dijshëm”.

Ata janë Ehli Bejti i të Dërguarit dhe ata janë familja e Ibrahimit! Ata janë pasardhësit e Ismailit dhe vijnë prej Ismailit! Ata janë pasardhësit e Muhamedit (s.a.v.) që të udhëzojnë! Muhamedi është i pari i tyre, ata janë të zotët e hakut të tyre dhe ata e kanë arritur virtytin nga Zoti i tyre. Ehli Bejti i të Dërguarit (s.a.v.) në mesin tonë është sikur qielli i ndërtuar, toka e shtrirë, malet e vendosura, Qabeja e mbuluar, dielli që shpërndan dritë, yjet udhërrëfyes dhe druri i ullirit të bekuar, nga vaji i të cilit ndriçohet rrethina.

Muhamedi është trashëgimtari i Ademit dhe i diturisë së tij. Ai është imami i të devotshmëve, lideri i atyre që i kanë të pastër duart dhe këmbët e tyre, dhe tevili i Kuranit të Madhëruar. Ndërsa, Ali bin Ebi Talibi është sinqerti më i madh dhe Faruku që e ndan të vërtetën prej të pavërtetës. Ai është trashëgimtari i Muhamedit e i diturisë së tij dhe vëllai i tij.

O popull që jeni devijuar prej të Dërguarit të vet! Sikur të kishit dashur që ta zgjidhni atë që e ka zgjedhur Allahu dhe të cilin e ka caktuar i dërguari si kalif, betohem në Allah se as dy persona nuk do të kishin pasur mosmarrëveshje në asnjë çështje!

 

Sikur të kishit mbetur besnik ndaj testamentit, nuk do të kishit mosmarrëveshje në asnjë çështje të fesë dhe zgjidhjen e çdo kërkese do ta kishin gjetur te dituria e Ehli Bejtit. Sepse, Allahu ka thënë: “Atyre ua kemi librin dhe ata e lexojnë kuptimin e tij sipas hakut”. Ju do ta shijoni dënimin e braktisjes së hakut të tyre. “Mizorët do të shohin dënimin për shkak të veprave të tyre”.

Në një rrëfim tjetër, Abdullah bin Abbasi kishte shkuar te shtëpia e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliu, dhe i ka thënë: “O babai i Hasanit! A po më tregon për testamentin e Resulullahut (s.a.v.) që të ka lënë ty”. Imam Aliu tha: “Po, do të tregoj.

 

Allahu ju zgjodhi fenë dhe ju tregoji kënaqësinë e Tij. Juve ju plotësoi fenë e tij si dhunti të Tij. Ju jeni pronarët dhe ushtruesit e saj. Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij dhe urdhëroi që unë të bëhem trashëgimtari i tij. I Dërguari (s.a.v.) më urdhëroi: O Ali! Mbaje në mend vasietin tim! Kujdesu për garantimin tim, zbatoje fjalën që e kam dhënë, pagoje borxhin tim, mbaje në këmbë synetin tim, kujdesu për çështjet e popullit, sepse Allahu i Madhëruar më ka zgjedhur mua mbi të gjithë. M’u kujtua thirrja e vëllait tim Musës dhe thashë: O Allahu im!

Më cakto një vezir, sikur Musës që ia caktove Harunin.  Allahu më shpalli: Aliu është veziri, ndihmësi dhe kalifi mbas teje! Po, o Ali! Ti je prej Imamëve të udhëzimit. Fëmijët tuaj janë prej teje. Ju jeni liderët e rrugës së devotshmërisë dhe të udhëzimit. Ju jeni prej asaj peme, që unë jam e saj ndërsa ju jeni degët e saj. Kush mbahet për atë pemë do të shpëtojë dhe kush e braktis atë do të shkatërrohet. Ju jeni ata që Allahu ka bërë obligim velajetin dhe dashurinë ndaj tyre.

Në lidhje me juve, Allahu ka thënë: “Allahu e zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë, që janë pasardhës njëri prej tjetrit. Allahu është Dëgjues dhe i Dijshëm”. Padyshim, ju jeni të zgjedhurit e familjes së Ademit, Nuhut, Ibrahimit dhe Imranit nga ana e Allahut. Ju jeni pasardhësit e Ismailit dhe të Muhamedit (s.a.v.) që do të udhëzojnë kah e vërteta.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 61

“E kush të kundërshton ty, pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: “Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe të kërkojmë që mallkimi nga ana e Allahut të jetë mbi gënjeshtarët”.

 

 

Numri i madh i interpretuesve të Kuranit rrëfejnë një ndodhi të këtillë: Në vitin 10 H. një delegacion i të krishterëve erdhi te Resulullahu (s.a.v.) dhe i paraqitën pikëpamjet e tyre në lidhje me Isën (a.s). Resulullahu (s.a.v.) i kundërshtoi ata duke thënë se Isa (a.s) është vetëm një i dërguar, sikur që është edhe ai vetë, dhe robi i Allahut. Delegacioni i të krishterëve nuk e pranonte këtë dhe këmbëngulte se ai ishte biri i Allahut.

Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) i bëri thirrje krishterëve që të luten për mallkim. Sipas kësaj lutjeje, do të kërkohej që mallkimi i Allahut ta godiste gënjeshtarin. Krishterët e pranuan këtë kërkesë dhe u ndanë për t’u takuar të nesërmen në një vend të caktuar. Kur u nda nga i Dërguari (s.a.v.) grupi i krishterëve, një dijetar nga mesi i tyre tha:

“Nëse i Dërguari (s.a.v.) nuk është një i dërguar i vërtetë, atëherë do të vijë bashkë me sahabet e tij për t’u lutur. Por, nëse është i dërguar i vërtetë, ai do të vijë me familjen e tij më të afërt”.

 

Të nesërmen krishterët erdhën në vendin e caktuar dhe e panë se i Dërguari (s.a.v.) e kishte marrë për dore Hasanin dhe Hysejnin, dhe mbrapa tij ishin Imam Aliu dhe vajza e tij Fatimja.

Një dijetar nga mesi i delegacionit të krishterëve u tha atyre:

“O grupi i të krishterëve! Po e shoh se janë duke ardhur drejt neve fytyra të tilla që sikur të kishin kërkuar nga Allahu që të zhvendosen malet prej një vendi në një vend tjetër, padyshim që kërkesa e tyre do të pranohet. Hiqni dorë nga lutja për mallkim përndryshe nuk do të mbetet asnjë i krishterë mbi sipërfaqen e tokës”. Kur u afrua te delegacioni i të krishterëve i Dërguari (s.a.v.) i tha Ehli Bejtit të tij: “Nëse unë e bëjë lutjen ju thoni amin. Padyshim që Allahu e pranon aminin tuaj”.

 

Shumica e rrëfimeve e kanë përcjellë ngjarjen në këtë mënyrë. Sa i përket përfundimit, të gjithë janë të njëjtë. Duhet që të cekim se në këtë ngjarje kemi shumë gjëra të rëndësishme që mund të mësojmë. Sepse, në këtë ngjarje është vënë në pah vlera e lartë e Ehli Bejtit. Në vend të fëmijëve të tij, i Dërguari (s.a.v.) kishte marrë me vete Imam Hasanin dhe Imam Hysejnin; duke i pasur gratë e tij, ai e kishte marrë vetëm vajzën e tij Fatimen dhe bashkë me veten (nefsin) e kishte marrë Imam Aliun.

 

Prej kësaj mund të nxjerrim një përfundim që për çdo mysliman me mendje të shëndoshë është e qartë. I Dërguari (s.a.v.) kishte marrë me vete Ehli Bejtin sepse ata ishin të pastër dhe vetëm me ata mund të arrihej efekti i dëshiruar. Me mosmarrjen e grave të tij me vete na tregon se sa janë të largët ato nga pozita e Ehli Bejtit. Sepse ato nuk ishin të pastër sikur Ehli Bejti. Njëkohësisht, Imam Aliun e kishte marrë me nefsin e tij dhe kjo na tregon për pozitën e tij të lartë që e gëzon afër të Dërguarit (s.a.v.). Në këtë pozitë nuk mund të afrohet asnjë sahabe. Kjo pozitë është për ata që zotërojnë të gjitha vlerat e lartësuara, përveç pejgamberllëkut. Imam Aliu është ortak në këtë pozitë.

 

Në një hadith sahih, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“O idhujtarët e Kurejshëve! A do të mbusheni mend apo t’ju dërgoj mbi ju njërin si nefsi im që do t’ju pres kokat e juaja dhe do t’i robërojë fëmijët juaj”.

Sahabet që ishin të pranishëm e pyetën të Dërguarin (s.a.v.) se kush ishte ai dhe i Dërguari (s.a.v.) e vendosi dorën e tij mbi supet e Imam Aliut, dhe tha: “Ai burrë është ky burrë”.

 

Sikur që mund të kuptojmë edhe nga hadith, Imam Aliu është konsideruar si nefsi i të Dërguarit (s.a.v.). Nuk kishte asnjë sahabe që mund të merrte pjesë në këtë pozitë të lartësuar.  Përkundër tërë këtij lartësimi, ata e braktisën atë dhe e shitën shumë lirë për shkak të interesit të kësaj bote.

Sipas kuptimit të këtij hadithi, ymmeti është dashur që të lidhet për Imam Aliun. Sepse, a është e drejtë që të lidhemi për ndonjërin tjetër kur është prezent Imam Ali, i cili është në pozitën e nefsit të të Dërguarit?

A nuk janë pjesëtarët e këtij ymmeti ata që kanë mbetur si shikues gjatë vrasjes së Imam Hasanit dhe Imam Hysejnit, të cilët i Dërguari (s.a.v.) i ka prezantuar si fëmijët e tij? Si mund të jetë e drejtë që ta pasojmë rrugën e atyre, që këtë rrugë e kanë quajtur si ehli synnet vel xhemat, kur ata janë fajtor për vrasjen e këtyre imamëve?

 

Dhe, është më se e sigurt që ata nuk i kanë dalë zot Ehli Bejtit aq të lartësuar. Madje, ata i kanë etiketuar si ‘rafizi’ (të larguar prej fesë) ata që e kanë dashur Ehli Bejtin dhe i kanë pasuar rrugët e tyre, dhe kjo është duke vazhduar ende. Ajetet dhe hadithet që e shpjegojnë pozitën e lartësuar të Ehli Bejtit janë në pah. Nuk është ndonjë vlerë që të dimë vetëm pozitën e tyre të lartësuar por edhe pasimi i saj është kusht dhe një qendër. Ata që e duan të Dërguarin (s.a.v.) mund ta arrijnë atë vetëm përmes kësaj rruge dhe qendre.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 68

“Më të afërm me Ibrahimin janë ata që e kanë ndjekur atë; ky Pejgamber dhe ata që besuan. Allahu është mbrojtës i besimtarëve”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Më të afërm me Ibrahimin janë Imamët e Ehli Bejtit dhe ata që e kanë ndjekur atë”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se Aliu ishte në rrugën dhe fenë e Ibrahimit. Dhe, ju (ithtarët) jeni më të afërmit e tij”.

 

Sikur që e dimë, hebrenjtë dhe krishterët thonë se Ibrahimi ishte prej tyre. Në tefsirin e këtij ajeti është shpjeguar se kjo nuk është e vërtetë dhe se në rrugën dhe fenë e Ibrahimit (a.s) janë vetëm i Dërguari (s.a.v.) dhe Imamët e Ehli Bejtit. Ata që duan që të jenë në fenë e pastër (hanif), ata mund ta arrijnë atë vetëm përmes Imamëve të Ehli Bejtit. Grupet që janë ndarë nga feja e pastër (hanif) e Ibrahimit janë ata që pretendojnë se feja e hebrenjve është origjinale. Padyshim që në mesin e tyre janë hebrenjtë dhe krishterët.

Por, kur të shikojmë brenga grupeve që i takojnë fesë islame, do të jemi dëshmitar të kundërshtimeve të njëjta. Duke qenë e qartë se në rrugën dhe fenë e Ibrahimit janë vetëm i Dërguari (s.a.v.) dhe Imamët e Ehli Bejtit, myslimanët i pasojnë imamët tjerë dhe i përsërisin gabimet e popujve të mëhershëm. Feja e pastër (hanif) e Ibrahimit është feja e të Dërguarit (s.a.v.) dhe e Imamëve të pastër të Ehli Bejtit. Ata që duan fenë e pastër, duhet ta marrin prej tyre.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 77

“Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë në botën tjetër, dhe në ditën e kiametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron ata. Ata kanë një dënim të dhembshëm”.

 

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Allahu ua ka bërë haram Xhenetin atyre që i bëjnë padrejtësi Ehli Bejtit, atyre që i vrasin ata, që ushqejnë urrejtje ndaj tyre dhe që i ndihmojnë të tillët. Ata që e ndërrojnë besën e dhënë Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë hise në botën e ardhshme...”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Allahu nuk do të flas me tre persona në ditën e Kiametit. Ata janë: ai që e pretendon imamatin pa u emëruar nga ana e Allahut, ai që e mohon imamin e zgjedhur nga ana e Allahut dhe ai që thotë se ata që janë në njërën prej këtyre dy gjendjeve do të përfitojnë nga Islami”.

 

Imami na ka bërë të qartë çështjen e Imamit. Imami nuk mund të jetë ai person që zgjidhet vetë apo ia përshtat vetes Imamatin. Imami i ymmetit mund të jetë vetëm personi i emëruar nga ana e Allahut. Imamati nuk mund të jetë rrjedhojë e zgjedhjes apo e zotësisë së njerëzve. Një Imam i vërtetë duhet të jetë i pastër prej të gjitha gabimeve dhe duhet që të shfaqet vullneti hyjnor te ai.

Jashtë kësaj, imameti nuk është asgjë tjetër veçse shpifje e njerëzve dhe mashtrim i shejtanit. Imamët e vërtetë e konfirmojnë njëri tjetrin. Kjo buron prej asaj që dituria e njërit prej tyre nuk është në kundërshtim me diturinë e tjetrit dhe nuk i kanë pikëpamjet e kundërta. Gjendja e imamëve të shquar të katër mez-hebeve brenda ymmetit nuk është e tillë.

 

Në mesin e katër mez-hebeve ka shumë mospajtime. Te Imamët e Ehli Bejtit nuk është e mundur që të shihen mospajtimet e tilla. Nëse pyet dikush për mospajtimet në mesin e ithtarëve të Ehli Bejtit, mund të themi se kjo buron vetëm prej ithtarëve të tyre. Sepse, është më se e sigurt se nuk ka kundërshtime në mesin e Imamëve. Nëse ka kundërshtime në mesin e atyre që i kanë pasuar ata, kjo ka mundur të burojë vetëm prej dëshirave dhe pasioneve të tyre.

Nuk mund të sjellë asnjë dobi pajtimi i ithtarëve të katër mez-hebeve nëse në mes katër imamëve të tyre ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Sepse ata që janë të ndryshëm, janë në kundërshtim njëri me tjetrin. Kur të jepet epërsia atyre që janë më lartë, nuk është me rëndësi a pajtohen apo jo ata që janë më poshtë. Sikur që na bëhet e qartë edhe nga hadithi i lartcekur të Dërguarit, ata që i kundërshtojnë Imamët e Ehli Bejti do të dënohen me një dënim të dhembshëm.

 

Nuk do të japin përgjegjësi vetëm ata që i luftojnë Imamët, por edhe ata që dyshojnë për epërsinë e diturive të tyre. Sepse, bashkimi i ymmetit mund të sigurohet vetëm përmes një imami të pastër e të pagabueshëm. Faktori më i rëndësishëm i paraqitjes së kundërshtimeve brenda ymmetit janë imamët jo të drejtë.

 

Një hadith sahih i të Dërguarit (s.a.v.) thotë:

“Kalifët (imamët) mbas meje janë dymbëdhjetë. Të gjithë janë prej Kurejshëve”.

 

Nuk ka libër burimor që nuk e përcjellë këtë hadith. Ymmeti e ka pranuar këtë hadith unanimisht dhe këtu është shprehur haptas gjithçka. Nuk ka asnjë Imam tjetër që është prej Kurejshëve dhe që është jashtë këtyre dymbëdhjetë Imamëve. Në historinë islame nuk  mund të hasim në asnjë dokument tjetër që i përmban përshkrimet e dymbëdhjetë imamëve. Imamët e ymmeti janë imamët e Ehli Bejtit. Ata që i ndërrojnë ata janë të ngjashëm me ata që e shesin ahiretin për një vlerë të vogël dhe është e sigurt se këta do t’i nënshtrohen dënimit të dhimbshëm.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 81

“Përkujtoni kur Allahu mori zotimin e pejgamberëve: Juve ju dhashë libër e urtësi. Kur t’ju vijë një i dërguar që ta vërtetojë atë që ju keni pranë vetes (librat hyjnor), ju patjetër do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë. A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim? Ata thanë: ‘Ne e pranuam!’ Dhe Allahu tha: “Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju”!

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Para se njerëzit të jepen kurrizit të Ademit, Allahu i Madhëruar ka marrë zotimin e pejgamberëve se do t’i besojnë Resulullah Muhamedit (s.a.v.) dhe se do ta pranojnë imametin e Urdhëruesit të Besimtarëve Aliut dhe se do t’i ndihmojnë atyre. Kur të bëhet thirrja e fundit, të gjithë të dërguarit që kanë ardhur prej Ademit (a.s) deri te i Dërguari (s.a.v.) do të tubohen përreth Urdhëruesit të Besimtarëve Aliut dhe do t’i ndihmojnë kundër armiqve të tij.

Me fjalën ju patjetër do ta besoni atë është fjala për të dërguarin Muhamed (s.a.v.) ndërsa me dhe do ta ndihmoni atë është fjala për premtimin që ia kanë dhënë Allahut të gjithë pejgamberët se do t’i ndihmojnë të besueshmit të pejgamberit, Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut.

 

Në një rrëfim tjetër, Imam Xhafer Sadiku thotë:

Në ditën e cila përmendet në ajet, Allahu i Madhëruar do t’ia dorëzojë Urdhëruesi i Besimtarëve Aliut flamurin e tevhidit të Muhamedit. Atë ditë do të mblidhen nën flamurin e tevhidit të gjithë pejgamberët e kaluar. Urdhëruesi i të gjitha krijesave atë ditë do të jetë Aliu. Ky është tevili i ajetit”.

 

Shpjegim:

Të gjithë të dërguarit janë zotuar gjatë fillimit të ekzistencës se do të jenë të lidhur për pejgamberllëkun e Muhamedit (s.a.v.) dhe imametin e Imam Aliut. Madje, gradat në mes të dërguarve janë matur me afërsinë ndaj të dërguarit Muhamed (s.a.v.) dhe Imam Aliut. Kjo afërsi ka qenë vetëm sipas diturisë dhe marifetit. Çdo pejgamber nuk e zotonte diturinë dhe marifetin e njëjtë. Të gjithë pejgamberët kanë qenë të afërm me Allahun, por disa prej tyre kanë qenë më të afërm. Edhe në mesin e sahabeve të të Dërguarit (s.a.v.) kishte grada në mes tyre. Në mesin e sahabeve, Selmani ishte zotëruesi i diturisë më të gjerë dhe më të thellë. Ai e kishte diturinë e të mëparshmëve dhe mëvonshmëve.

Ebu Zerri ishte më i sinqerti në mesin e sahabeve dhe zotëronte dituri të thellë. Por, në mes Selmanit dhe Ebu Zerrit kishte dallim në grada. Selmani ishte në marrëdhënie më të afërta me Imam Aliun prandaj edhe dituria e tij ishte më e gjerë. Madje, në lidhje me këtë ekziston një fjalë e famshme e Imam Aliut: “Sikur të kishte ditur Ebu Zerri diturinë e Selmanit, ajo dituri do ta vriste atë. Pra, Ebu Zerri nuk do të mund të duronte shkallën e diturisë së Selmanit dhe do të shkatërrohej. Kjo është vetëm për hir të dashurisë dhe respektit. Si p.sh: Kur themi se dashuria e Ahmetit ndaj Jusufit do ta vret atë, me këtë nënkuptojmë se ajo që do ta vret Ahmetin është dashuria e tepruar.

 

Ne nuk duhet që të japim rëndësi atyre sahabeve që nuk kanë zotuar asnjë dituri dhe që janë paraqitur gjithnjë në ballë. Ata që qeverisin  gjithmonë veprojnë sipas dëshirave të tyre. Qeverisja nuk pranon ortakëri. Për shkak të kësaj gjendjeje të rëndomtë, ata që qeverisin i zhvlerësojnë ata që janë në opozitë dhe i shtyjnë në një anë që mezi vërehen te sytë e popullit. Spastrimi i njëjtë është bërë edhe në mesin e sahabeve.

Një grup i sahabeve i shërbente dhe bashkëpunonte me ata që qeverisnin dhe një grup tjetër që e dinte se ata që qeverisin e kishin marrë atë pozitë në mënyrë të padrejtë. Në krye të grupit të dytë ishin Selmani dhe Ebu Zerri. Në mesin e atyre që bashkë me Ehli Bejtin nuk ia kishin dhënë betimin Ebu Bekrit ishte edhe grupi i dytë. Ishte gjë e natyrshme ekzistimi i kundërshtimeve të tilla në mesin e sahabeve. Edhe në mesin e sahabeve të Imam Aliut kishte mospajtime në mes tyre. Këtë na e ka bërë të qartë i Dërguari (s.a.v.):

“O Ali! Vetëm unë dhe ti e keni njohur Allahun sipas kuptimit të plotë. Mua më keni njohur vetëm ti dhe Allahu. Edhe ty të kemi njohur vetëm unë dhe Allahu”.

 

Ku është Aliu e ku janë ata që e kanë njohur atë plotësisht, sipas hakut? Njohja e vërtetë e Imam Aliut u është mundësuar vetëm një grupi të vogël të njerëzve. Një ditë, Imam Aliu kishte mbajtur një fjalim të këtillë:

“Allahu i Madhëruar është një, i Vetmi. Është i vetmi në esencë (zat), përshkrim (sifat) dhe në punët e Tij, nuk ka të ngjashëm dhe ortak. Allahu i Madhëruar i ka folur disa fjalë dhe ato fjalë janë shndërruar në nur (dritë). Pastaj, prej atij nuri krijoi Muhamedin (s.a.v.), mua dhe pasardhësit e mijë.

Pastaj, i foli disa fjalë tjera dhe ato u shndërruan në ruh (shpirt). Allahu e bashkoi atë ruh me atë nur dhe u formuan trupat tona. Ne jemi ruhu dhe fjalët e Allahut. Përmes neve Allahu u fsheh prej krijesave. Pastaj, qëndruam nën një hije të gjelbër. Ende pa u krijuar dielli, hëna, dita, nata dhe sytë që hapen e mbyllen, ne e kemi lavdëruar e falënderuar Allahun. Ne ishim në këtë gjendje edhe pa u krijuar ende krijesat.

Pastaj, kishte marrë zotimin e pejgamberëve se do të na besojnë e ndihmojnë, dhe këtë na e tregon Allahu në Librin e Tij në këtë mënyrë: Përkujtoni Allahu mori zotimin e pejgamberëve: Juve ju dhashë libër e urtësi. Kur t’ju vijë një i dërguar që ta vërtetojë atë që ju keni pranë vetes (librat hyjnor), ju patjetër do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë”, pra do t’i besoni Muhamedit (s.a.v.) dhe do t’i ndihmoni të besueshmit të tij (Imam Aliut).

Të gjithë do t’i ndihmojnë të besueshmit në të ardhmen. Allahu i Madhëruar ka marrë zotimin se do t’i ndihmojnë Muhamedit dhe mua, dhe ne i ndihmojmë njëri tjetrit. Edhe unë jam bërë ndihmësi i Muhamedit (s.a.v.); jam gjendur në xhihad dhe e kam vrarë dushmanin e tij. Unë e kam mbajtur fjalën që ia kam dhënë Allahut. Ndërsa, të dërguarit nuk kanë mundur që të më ndihmojnë sepse janë ndarë më herrët nga kjo botë, por në të ardhmen të gjithë do të zbresin për të më ndihmuar”.

 

Shpjegim:

“Këtu Imam Aliu ka bërë me dije për paraqitjen e Mehdiut (a.s). Me paraqitjen e Mehdiut (a.s) të gjithë pejgamberët do të zbresin dhe do t’i ndihmojnë Ehli Bejtit. Çdo pejgamber do t’i bëjë thirrje ymmetit të tij kah feja e vërtetë Islami. Duke e ditur se Islami është feja e vërtetë, feja e shumicës së myslimanëve nuk është Islami i vërtetë.

Sepse, ky Islam është vetëm një emër që ka mbetur. Islami i vërtetë, pra feja e vërtetë, do të paraqitet me paraqitjen e Mehdiut (a.s). Ajo kohë do të jetë koha e Ehli Bejtit. Në atë kohë nuk do të kenë kurrfarë dobie dushmanët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Islami, feja e Allahut, do të jetë nën flamurin e Imam Aliut, e vërtetat dhe e pavërteta do të jenë të qartë plotësisht.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 81

 “Thuaj: “Allahu e tha të vërtetën, pra ndiqeni fenë e pastër (hanif) të Ibrahimit, sepse ai nuk i takonte idhujtarëve”.

 

 

Imam Zejnel Abidini ka thënë:

“Përveç neve dhe ithtarëve (shiitët) tanë nuk e di ndonjërin tjetër që të jetë i lidhur për fenë e pastër (hanif) të Ibrahimit”.

 

Shpjegim:

Do të bëjmë një shpjegim ashtu që çdonjëri të mund të kuptojë se përveç Ehli Bejtit dhe ithtarëve (shiitëve) të tyre askush tjetër prej myslimanëve nuk është i lidhur për fenë e pastër (hanif) të Ibrahimit. Kjo mos t’ju vijë rëndë asnjërit.

Në një hadith sahih, duke bërë me shenjë kah Imam Aliu, Fatimja, Hasani dhe Hysejni, I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Ata që i luftojnë këta, edhe unë jam në luftë me ata. Ata që janë në paqe me këta, edhe unë jam në paqe me ata!”.

 

Hadithi na e bën të qartë se të luftosh kundër Ehli Bejtit do të thotë të luftosh kundër të Dërguarit (s.a.v.). Kur ta shikojmë historinë, Imam Hysejni dhe të afërmit e tij janë vrarë mizorisht në shkretëtirën e Qerbelasë nga një grup i njerëzve që i thoshin vetes myslimanë. Edhe djali i Imam Hysejnit, Imam Zejnel Abidini, ishte bashkë me të në Qerbela. Ai shpëtoi falë asaj se ishte i shtrirë në shtrat nga sëmundja. Sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një urtësi të Allahut sepse, Imamët e Ehli Bejtit kanë vazhduar prej Imam Zejnel Abidinit.

Për neve, këtu është e rëndësishme vrasja mizore e pjesëtarëve të Ehli Bejtit. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran:

“Dënimi i atyre që luftojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është tjetër vetëm se të mbyten, të varen, t'u priten duart dhe këmbët e tyre ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dynja. Në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh” (Maide, 33).

 

Gjithçka është e qartë nga hadithi dhe ajeti. Assesi nuk mund të pranohet se këta i takojnë fesë së pastër të Ibrahimit. Ana më e rëndësishme e kësaj është se myslimanët kanë mbetur shikues kundrejt zullumqarëve të tillë. Sepse, ai që mbetet si shikues kundrejt zullumit të zullumqarit, është aq fajtor sa edhe zullumqari. Ata që dëshirojnë që ta klasifikojnë këtë vetëm si një polemikë të shiitëve, ata janë që e mohojnë gjykimin ose nuk e njohin kuptimin e ajetit dhe të hadithit të lartpërmendur. Është një e vërtetë e padiskutueshme se vetëm ata që gjenden brenda fesë së Imamëve të Ehli Bejtit janë në fenë e pastër të Ibrahimit. Sepse, i Dërguari (s.a.v.) na ka lënë testament vetëm Imamët e Ehli Bejtit dhe nuk ka folur për Imamët tjerë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 103

“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut, e mos u përçani! Përkujtojeni dhuntinë e Allahut ndaj jush. Ju ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij  jeni bërë vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së zjarrit, e Ai ju shpëtoi prej tij që të mund të shkoni në rrugën e drejtë. Allahu ua sqaron juve argumentet e veta”.

 

 

Imam Zejnel Abidini ka thënë:

“Një ditë i Dërguari (s.a.a.s) ishte ulur bashkë me sahabet në xhami dhe tha:

“Tani do të vijë para juve njëri prej banorëve të Xhenetit”.

Dhe, erdhi një burrë i veshur me rroba të beduinit, u përshëndet me të Dërguarin (s.a.v.) dhe u ulë afër tij.

Sapo u ulë, ky burrë pyeti: ‘E lexova ajetin Kapuni që të gjithë për litarin e Allahut...Cili është ai litar për të cilën Allahu na porosit që të kapemi dhe të mos e braktisim atë?’.

Resulullahu (s.a.v.) e shikoi për një kohë dhe bëri me shenjë kah Aliu, dhe tha: ‘Ky është litari i Allahut. Ai që kapet për të, do të shpëtojë në këtë botë dhe në botën tjetër nuk do të jetë prej të humburve!’.

Kur e dëgjoi këtë ai burrë, u ngrit dhe shkoi drejt Aliut.

E përqafoi atë dhe tha:

‘Kapuni për litarin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij’.

Pastaj, doli nga xhamia e u largua. Njëri prej sahabeve që e kishte shikuar këtë skenë u ngrit në këmbë dhe tha:

‘O Resulullah! A ta mbërrijë atë burrë dhe të kërkojë prej tij që të kërkojë falje për mua?’.

Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Nëse e sheh të nevojshme një gjë të tillë, shko?’.

Sahabeja e mbërriti atë burrë dhe kërkoi prej tij që të lutet për të. Ai burrë tha: ‘A nuk e kuptove pyetjen time dhe përgjigjen e Resulullahut?’.

Sahabeja u përgjigj: ‘Po, e kuptova’.

Ai burrë tha: ‘Nëse kapesh për litarin e Allahut, Ai do të falë ty dhe nëse e braktis atë, Allahu nuk do të falë asnjëherë”’

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Velajeti i Ali bin Ebi Talibit është litari për të cilën Allahu na ka urdhëruar që të kapemi! Çdokush që kapet për atë litar, do të bëhet besimtar dhe çdokush që e braktis atë litar, padyshim do të jetë i dalë nga feja”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ne jemi litari i Allahut”

 

Imam Ali Riza ka thënë:

“Në kohën kur ishte i sëmurë i Dërguari (s.a.a.s), ai u drejtua banorëve të Medinës dhe mbajti një fjalim. Kur e dëgjuan këtë banorët e Medinës, filluan që të vajtojnë, dhe i Dërguari (s.a.a.s) vazhdoi: “O ju Muhaxhir, Ensar, njerëz dhe xhinë që më shihni! Përcillni këto fjalë atyre që nuk janë prezent! Në mesin e juaj po ju lë Librin e Allahut që aty janë të gjitha obligimet (farzet) e vendosura nga ana e Allahut, drita, udhëzimi dhe qartësia.

Ky Libër është dëshmia ime dhe i të afërmit tim (Aliut) mbi ju. Njëkohësisht, në mesin e juaj po ju lë edhe Ali bin Ebi Talibin, që e zotëron diturinë më të madhe, diturinë e fesë dhe që është drita e udhëzimit! Ai është litari i Allahut dhe të gjithë kapuni për litarin e Allahut, e mos u përçani. Përkujtojeni dhuntinë e Allahut ndaj jush. Ju ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij jeni bërë vëllezër.

Madje ishit në buzë të greminës së zjarrit, e Ai ju shpëtoi prej tij që të mund të shkoni në rrugën e drejtë. Allahu ua sqaron juve argumentet e veta. O njerëz! Ky është Aliu! Çdokush që e do Aliun sot, dhe prej kësaj dite e më tutje, dhe që e bën velijjul emr për vete, padyshim që do ta mbajë premtimin e dhënë Allahut! Çdokush që sot dhe prej kësaj dite e më tutje e mban Aliun si armik dhe e urren atë, padyshim që në ditën e Kiametit do të vijë memec (nuk do të mund të flas) dhe i verbër (nuk do të mund të sheh). Të tillët nuk do të kenë asnjë huxhet (udhëheqës që do të ndërmjetësojë) te Allahu”.

 

Në një rrëfim tjetër, prapë e pyesin të Dërguarin (s.a.v.) për litarin e Allahut, dhe ai thotë: “Kapuni për Aliun, ai është një litar i Allahut që nuk di të këputet!”

Në një vend tjetër, i Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

"Ata që dëshirojnë që të hipin në anijen shpëtuese, që të mbahen për dorëzën që nuk di të këputet dhe që të mbahen për litarin e Allahun, le ta bëjnë Aliun për velijjul emr vete dhe le të qëndrojnë mbrapa imamëve që vijnë prej pasardhësve të Aliut!”

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë: “Xhebraili (a.s) më ka thënë:

Më ka njoftuar Allahu: Velajeti i Ali bin Ebi Talibit është si kalaja ime. Çdokush që hyn në atë kala, do të shpëtojë prej dënimit Tim!”

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Kuptimi i fjalës ‘mos u përçani’ është se Allahu i Madhëruar e ka ditur se ymmeti do të përçahet mbas të Dërguarit (s.a.v.) dhe për të shpëtuar nga kjo mosmarrëveshje ka urdhëruar që të kapen për Ehli Bejtin e Muhamedit dhe velajetin e tyre”.

 

Nuk besojmë se duhet që të bëjmë ndonjë shpjegim tjetër mbas prezantimit të haditheve të qarta e të pastra si loti. Por, do të ndalemi vetëm te disa pika të rëndësishme. I Dërguari (s.a.a.s) ka ditur shumë mirë se ymmeti i tij do të fundoset në përçarje e mosmarrëveshje prandaj ia ka lënë ymmetit si shpëtim Kuranin dhe Imamët e Ehli Bejtit të pastër.

 

Ky vasiet mund të lexohet në të gjitha librat burimore synnite. Këtë e ka përmendur i Dërguari (s.a.a.s) gjatë kohës së haxhit lamtumirës përpara dhjetëra mijëra myslimanëve dhe i ka kanosur me dënim ata që nuk i përmbahen këtij vasieti. Në këtë vasiet, i Dërguari (s.a.a.s) një herë e përmend Kuranin dhe tri herë Ehli Bejtin e tij, duke ua bërë me dije në mënyrë të qartë për rëndësinë e tyre. Ky rrëfim mund të gjendet edhe te Sahihi i Muslimit.

 

Është një gjë për të cilën duhet që të mendojnë njerëzit me mendje të shëndoshë se si është e mundur që përkundër tërë kësaj qartësie, ymmeti të mos jetë në dijeni për Imamët e Ehli Bejtit, sigurisht që këtu e kemi fjalën për një shumicë të madhe të myslimanëve. Nuk mund të shohim se në shtetet islame të jepen rëndësi pikëpamjeve e mendimeve të Imamëve të Ehli Bejtit në lidhje me çështjet e fesë.

Kur do të kërkojnë ndërmjetësimin nga i Dërguari (s.a.a.s) në Ditën e Kiametit, a do të bëjnë këtë duke thënë se e kanë harruar apo braktisur Ehli Bejtin? Kurani dhe Ehli Bejti janë një pjesë e pandashme. Ndarja e tyre do të thotë ndarja e Allahut dhe e Pejgamberit të Tij. Aty ku nuk është Allahu, aty nuk mund të jetë pejgamberi dhe aty ku nuk është pejgamberi, aty nuk mund të jetë Allahu. E njëjta vlen edhe për Kuranin.

 

Nuk mund të jetë Kurani pa Ehli Bejt dhe Ehli Bejti pa Kuran. Kjo është bërë vasiet në këtë mënyrë dhe do të vazhdojë përderisa te mbërrijnë te burimi i Kevtherit në Ditën e Kiametit. Duke dëshiruar që të gjithë myslimanët të kapen për Imamët e Ehli Bejtit, dëshirojmë që të përmendim edhe një herë këtë hadith të të Dërguarit (s.a.v.):

“Në mesin tuaj, Ehli Bejti im është sikur anija e Nuhut (a.s). Ka shpëtuar ai që hip në të dhe është fundosur ai që e kundërshton atë!”

Ne i bëjmë thirrje të gjithë myslimanëve që të veprojnë sipas këtij hadithi sahih. Kjo është një thirrje e sinqertë, sikur një vëlla që i bën vëllait. Ata që kanë vdekur nuk janë më, por le të mendojnë ata që janë në jetë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 104

“Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: Grupi që bën thirrje në atë që është e dobishme, që urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja është Ehli Bejti i Muhamedit.

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë: “Aliu dhe ithtarët (shiitët) e tij janë ata që do të shpëtojnë në Ditën e Kiametit”

Këto hadithe nuk janë asgjë tjetër veçse vazhdimi i haditheve që i kemi përmendur në ajetet e mësipërme. Ky është virtyti i Ehli Bejtit. Hadithet që e vërtetojnë Ehli Bejtin janë të shumtë në të dy anët.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 106-107

“Atë ditë shumë fytyra do të zbardhen dhe shumë fytyra do të nxihen. Atyre që fytyrat i kanë të nxirë do t’u thuhet: ‘A edhe pas besimit tuaj u bëtë jobesimtarë? Vuani pra dënimin, për shkak të pabesimit!’. Ndërsa ata që i kanë fytyrat e zbardhur, ata janë brenda mëshirës së Allahut. Aty do të jenë përgjithmonë”.

 

I Dërguari (s.a.a.s) i është drejtuar sahabeve dhe ka thënë:

"Ymmeti im do të vijë në Ditën e Kiametit të tubuar nën pesë flamuj. Flamuri i parë do të jetë në dorën e adhuruesve të viçit nga ymmeti im. Unë do t’i pyes ata: Si keni vepruar mbas meje me dy amanetet, vlera e të cilëve nuk mund të matet me asgjë? (Kurani dhe Ehli Bejt)? Të tubuarit e grupit të parë do të thonë:

Prej kuptimit të amanetit të madh (Kuranit) jemi larguar dhe e kemi hedhur mbrapa shpine. Ndërsa, ndaj amanetit të vogël (Ehli Bejtin) kemi ushqyer urrejtje dhe jemi bërë armik!  Atëherë, unë do të them: Kthehuni të etshëm për zjarr dhe me fytyra të nxira, largohuni prej meje!

 

Pastaj, do të vijë  një pjesë e ymmetit tim nën flamurin e faraonëve.

Unë do t’i pyes: Si keni vepruar mbas meje me dy amanetet? Ata do të më thonë: Të madhin e kemi shqyer, jemi bërë kundërshtar të tij dhe e kemi shtrembëruar. Ndërsa, amanetit të vogël jemi bërë armik dhe e kemi luftuar atë! Atëherë, unë do të them: Kthehuni të etshëm për zjarr dhe me fytyra të nxira!

 

Pastaj do të vijë një grup i ymmetit tim nën flamurin e Samirrit dhe unë do t’i pyes ata: Si keni vepruar mbas meje me dy amanetet?

Ata do të më thonë: Jemi rebeluar kundër të madhit dhe e kemi braktisur atë. Ndërsa, të voglin e kemi zhvlerësuar.

Atëherë, unë do të them: Kthehuni të etshëm për zjarr dhe me fytyra të nxira!

 

Pastaj do të vijë një grup i ymmetit ku do të përfshihen të gjithë harixhitë në të dhe do të jenë nën një flamur. Unë do t’i pyes: Si keni vepruar mbas meje me dy amanetet? Ata do të më thonë: të parin e shqyer në copa dhe jemi larguar prej tij. Ndërsa, kundër të dytit kemi luftuar dhe e kemi vrarë! Atëherë, unë do të them: Kthehuni të etshëm për zjarr dhe me fytyra të nxira.

 

Pastaj, do të më vijë një grup nën flamurin e imamit të devotshmëve, zotërisë së myslimanëve, liderit të atyre me duar dhe këmbë të pastra, të besueshmi të të Dërguarit të Zotit të botëve, Aliut. Ata do t’i pyes: Si keni vepruar mbas meje me dy amanetet.

Ata do të më thonë: Kemi treguar bindje ndaj të madhit dhe e kemi pasuar atë. Të voglin e kemi dashur, i kemi bërë udhëheqës dhe i kemi ndihmuar atij. Madje, i kemi derdhur edhe gjaqet tona për hir të tyre! Atyre do t’u them: hyni në Xhenet, me etje të shuar dhe me fytyra të zbardhura. (“Atë ditë shumë fytyra do të zbardhen dhe shumë fytyra do të nxihen. Atyre që fytyrat i kanë të nxirë do t’u thuhet: ‘A edhe pas besimit tuaj u bëtë jobesimtarë? Vuani pra dënimin, për shkak të pabesimit!’. Ndërsa ata që i kanë fytyrat e zbardhur, ata janë brenda mëshirës së Allahut. Aty do të jenë përgjithmonë”)

 

Shpjegim:

I Dërguari (s.a.a.s) na ka bërë me dije se brenda ymmetit të tij do të dalin Faraoni, Samirri dhe viçi të cilën e ka bërë ai, njëjtë sikur brenda ymmetit të Beni Israelit. Këtë e ka thënë përpara sahabeve që të mund të rruhen prej këtyre gjërave. Musa (a.s) kishte shkuar në malin Turi Sina dhe e kishte vëllanë e tij Harunin (a.s) si zëvendës të tij, si dhe kishte lënë vasiet që t’i tregojnë bindje ndaj tij.

Por, sapo u largua Musa (a.s) prej tyre, njëri prej ymmetit të tij me emrin Samirri i nxori ata nga rruga. Ai bëri një viç nga ari dhe i bëri thirrje ymmetit që ta adhuronin atë. Ymmeti u mashtrua mbas tij, u nda nga feja e pastër (hanif) dhe brenda ymmetit u paraqit një rrëmujë e madhe. Ata filluan që ta vrasin njëri tjetrin dhe nuk e përfillën fare Harunin (a.s). Kur e lexojmë historinë islame, do të vërejmë se nuk dallohemi aq shumë prej ymmetit të Musës (a.s).

 

I Dërguari (s.a.a.s) e kishte lënë Hz Aliun si kalif dhe imam por, u paraqit një mosmarrëveshje brenda ymmetit në lidhje me kalifatin dhe u hap një varrë e madhe brenda ymmetit. Ehli Bejti i të Dërguarit (s.a.v.), i cili u rekomandua aq shumë nga ai, u harrua menjëherë mbas ndërrimit jetë të tij.

Nga dora e Hz Fatimes i është marrë plantacioni i hurmave Fedeku, pozita e Imam Aliut u grabit, Hz Hasani u helmua e vdiq dhe Hz Hysejni u martirizua në Qerbela. Ymmeti mbeti vetëm si shikues ndaj këtyre dhe shumë zullumeve të hidhura. Gabimi i ymmeteve të mëparshme u përsërit. Është pasuar rruga e Faraonit, Samirrit dhe e viçit. Këto janë ngjarje që kanë ndodhur dhe që kanë kaluar mirëpo neve ne vjen rëndë që edhe sot e kësaj dite vazhdon logjika e njëjtë.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Në Ditën e Kiametit, ithtarët e Aliut do të thirren për të dhënë llogari me fytyra të zbardhura dhe pa ndier etje për ujë. Armiqtë e Aliut do të thirren për të dhënë llogari me fytyra të nxira dhe të etshëm për ujë.

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“Aliu dhe ithtarët e tij janë ata që kanë shpëtuar në Ditën e Kiametit”.

 

Dëshirojmë që të përmendim këtu se kush janë ithtarët (shiitët) e Aliut. Në fillimin e historisë islame shiitët e Aliut ishin formuar prej sahabeve më të shquara. Në krye të këtyre sahabeve ishin: Selmani, Mikdad bin Esvedi, Ebu Zerri dhe Ammar bin Jasiri. Këta ishin ithtarët më të besueshëm të Imam Aliut. Këta sahabe e kishin kundërshtuar kalifatin e Ebu Bekir bin Kuhafes kur ia dhanë atij betimin.

Ata ishin vendosur në shtëpinë e Imam Aliut dhe e pritnin urdhrin e tij. Këta ishin shiitët e parë dhe më vonë këta u shtuan nga mesi i popullit. Gjatë kohës së Emevitëve dhe Abbasitëve, shiitët e Hz Aliut janë ndjekur në mënyrë të pamëshirshme dhe janë martirizuar në mënyrë më çnjerëzore. Vetëm pse Huxhr bin Udejji kishte kaluar në anën e shiitëve të Imam Aliut, ai u martirizua nga shokët e tij që e mbanin anën e Muavijes.

 

Gjatë tërë historisë islame gjithnjë janë ndjekur e vrarë mizorisht ata që i kanë mbrojtur të drejtat e Ehli Bejtit nga ana e atyre që kanë qeverisur. Edhe në kohën e sotme, shiitët dëshirojnë që t’i prezantojnë si një grup të terroristëve dhe kjo buron vetëm nga ana e qeveritarëve zullumqar. Gjatë tërë historisë, shiitët janë etiketuar si të këqij për shkak se e kanë kundërshtuar pushtetin dhe jo pse janë një grup i thjeshtë i terrorit.

 

Dëshira e vetme e shiitëve është nënshtrimi ndaj Imamëve të Ehli Bejtit. Kjo është në kundërshtim edhe me pikëpamjet e qeveritarëve të ditëve të sodit. Asnjë arsye tjetër nuk ka. I Dërguari (s.a.a.s) ka lënë vasiet Ehli Bejtin e tij si lider dhe shiitët  dëshirojnë që ta pasojnë këtë. Pengesë janë qeveritarët që qeverisjen e kanë marrë me grabitje dhe padrejtësisht.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 110

“Ju jeni ymmeti më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve; urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga veprat e këqija”.

 

 

Këtë ajet e lexuan përpara Imam Xhafer Sadikut dhe ai tha:

“Një ymmet i mbarë a e vret Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun, Hasanin, Hysejnin dhe djemtë tjerë të Aliut?’ Ai që e lexoi ajetin tha: ‘U flijofsha për ty, si duhet ta lexoj këtë ajet?’ Imami tha: Esenca e ajetit është ky: Ju jeni imamët më të zgjedhur për njerëzit. Sepse, Allahu i lëvdon ata në këtë mënyrë: urdhërojnë për të mirën, ndalojnë prej të këqijave dhe e besojnë Allahun!”

 

Shpjegim:

Vetëm një Imam i drejtë dhe i pagabueshëm mund të jetë më i mbari i njerëzve. Vetëm një Imam i tillë mund të urdhërojë të mirën dhe të ndalojë të keqen dhe e beson Allahun me kuptimin e plotë. Ashtu sikur që thotë edhe Imami i nderuar, sikur të kishte qenë ky ymmet më i mbarë, atëherë është dashur që ta shohim në një gjendje tjetër. Sikur të kishte qenë ky ymmet më i mbarë, nuk do ta kishin neglizhuar Ehli Bejtin e të Dërguarit (s.a.v.), të cilin e ka përmendur më së shumti. Sikur të kishte qenë ky ymmet më i mbarë, nuk do të mundohej aq shumë që t’i asgjësojë pasardhësit e të Dërguarit (s.a.v.). Në mesin e këtij ymmeti, Ehli Bejt është prezent vetëm si një çështje formale.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ehli Bejt i Muhamedit është ymmeti më i mbarë! Ata janë populli i vërtetë i Ibrahimit (a.s). Allahu e dërgoi këtë popull, pastaj ia dërgoi atij dhe e dërgoi bashkë me të. Ata janë populli i mesëm dhe më i mbarë”.

Në lidhje me dërgimin e këtij populli, Imami ka menduar në këtë: Këtë popull ia dërgoi Ibrahimit (a.s) dhe pastaj ia dërgoi edhe të Dërguarit (s.a.v.) këtë popull, gjegjësisht edhe Ehli Bejti i tij është dërguar bashkë me të deri në fundin e kohës. Sepse, edhe Mehdiu (a.s) që do të paraqitet para fundit të kohës, do të jetë prej këtij populli.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 112

“Atyre u është vënë njolla e nënçmimit, kudo që të gjenden. Vetëm nëse kapen për litarin e Allahut...”

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Litari i Allahut është Kurani. Litari për të cilën duhet që të kapen njerëzit është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu.

Të njëjtën shpjegim e ka bërë edhe i Dërguari (s.a.a.s) në haxhin lamtumirës. Aty ia ka lënë vasiet ymmetit që të kapen për Kuranin dhe Ehli Bejtin e pastër. Vetëm ata që kapen për këto dy amanete mund të shpëtojnë prej poshtërsisë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 143 - 144

“Muhamedi është vetëm një i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar. E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t'i shpërblejë mirënjohësit”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Përveç tre personave, të gjithë të tjerët janë bërë murted (të dalë nga feja) mbas të Dërguarit (s.a.v.)’. Njëri që ishte i pranishëm e pyeti: ‘Kush janë ata tre persona?’.

Imami tha: ‘Ata janë Mikdadi (bin Esved el-Kindi), Ebu Zerri (Xhundeb bin Xhundada-ul Gaffari) dhe Selmani. Përkundër të gjitha vështirësive që i kanë parë, ata kishin mbetur besnik ndaj Imam Aliut. Ata ia dhanë zotimin Ebu Bekrit vetëm kur ia dha zotimin Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Këta janë mirënjohësit që përmenden në këtë ajet”.

 

Në një rrëfim tjetër, Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Mbasi që ndërroi jetë i Dërguari (s.a.a.s), përveç katër personave, të gjithë u kthyen në kohën e injorancës (xhahilijetit). Ata janë: Aliu, Selmani, Mikdadi he Ebu Zerri’. Njëri prej të pranishmëve pyeti: ‘A nuk ishte i përfshirë edhe Ammar Jasiri me ata?’. Imami u përgjigj: “Nëse më pyet për ata që nuk kanë pasur kurrfarë dyshimi në zemrat e tyre, atëherë ishin vetëm këta katër persona”

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Huzajfe-ul Jemmani, rrëfen:

“Resulullahu (s.a.v.) kishte urdhëruar xhihadin në ditën e Uhudit. Të gjithë, një nga një, ishin zotuar se do të luftojnë përderisa të korrin fitoren ose të vdesin. Mbasi që dolëm në fushëbetejë dhe u ballafaquam me armikun, Allahu i sprovoi ata dhe shumica prej neve e u larguan nga fushëbeteja e ikën.

Ata nuk u ndalën së vrapuari deri në Medine. Në njërën prej gropave që e kishte hapur armiku gjatë luftës kishte rënë Resulullahu (s.a.v.) dhe u bënte thirrje atyre që ishin duke ikur:

‘O njerëz! Unë as nuk kam vdekur as nuk jam mbytur’ Por, njerëzit ishin duke ia mbathur për në Medine duke e shtyrë njëri tjetrin. Afër të Dërguarit (s.a.v.) kishin mbetur Ali bin Ebi Talibi dhe Ebu Duxhxhane Summak bin Hurshit el-Ensari. Prej mesit të atyre që kishin ikur në Medine, më i virtytshmi (Ymeri), iu drejtua popullit me këto fjalë: ‘Resulullahu është vrarë!’.

 

Ndërsa, Resulullahu (s.a.v.) ishte kthyer në vendin e vet në fushëbetejë dhe i tha Ebu Duxhxhanes: ‘O Ebu Duxhxhane! Pse nuk ke ikur edhe ti bashkë me njerëzit e tuaj?’. Ebu Duxhxhane iu përgjigj: ‘O i Dërguari i Allahut! Ne nuk jemi zotuar ty dhe Allahut për të ikur. Edhe kur kemi dalë nga shtëpitë nuk kemi ardhur këtu për të ikur’. Atëherë, Allahu i Madhëruar tha: “Padyshim që ata që të zotohen ty, në të vërtetë ata i zotohen Allahut, se dora e Allahut është mbi duart e tyre. E kush e thyen zotimin, ai e thyen vetëm në dëm të vetin” (Fet-h, 10).

 

Atëherë, i Dërguari (s.a.a.s) tha: ‘O Ebu Duxhxhane! Po të liroj nga zotimi që ma dhënë, mund të kthehesh te fisi yt’.

Ndërsa, Ebu Duxhxhane tha: ‘O Resulullah! Nuk do të jetë e mbarë për mua që të jetoj mbas teje dhe gratë e Ensarëve të thonë se e kam braktisur Resulullahun dhe e kam shpëtuar veten’.

Kur e sheh Resulullahu (s.a.v.) përkushtimin e Ebu Duxhxhanes për të luftuar, kalon mbrapa një shkëmbi për t’u mbrojtur nga shigjetat. Nuk kaloi shumë dhe mbasi që luftoi trimërisht ai u kthye  i përgjakur te i Dërguari (s.a.a.s) dhe u shtri përpara tij. Ndërsa, Aliu çdo armik e vriste me shpatën e tij përderisa iu thye shpata.

 

Ai erdhi te i Dërguari (s.a.a.s) dhe tha: ‘O Resulullah (s.a.a.s)! Shpata më është thyer dhe nuk kam tjetër’. I Dërguari (s.a.a.s) e nxori shpatën e tij; Zylfikarin, dhe ia dha Aliut. Sapo e mori shpatën Aliu, shkoi drejt armiqve dhe e vriste çdonjërin që i dilte përpara. Beteja ka qenë aq e ashpër sa që mburoja e Aliut ishte bërë copë. Resulullahu që e përcillte betejën, e ngriti kokën kah qielli dhe tha: ‘O Allah! Muhamedi është robi dhe i dërguari Yt.

 

Çdo të dërguari ia ke caktuar nga një vezir dhe e ke përforcuar të dërguarin me të. Caktoje për mua Ali bin Ebu Talibin si vezir. Sa vezir dhe vëlla i mirë që është. O Allah! Mua më ke premtuar që do të më dërgosh katër mijë engjëj si mbështetje. Premtimi Yt është premtim. Ti e mban premtimin. Ti ke premtuar se do të ngadhënjejë feja Jote mbi të gjitha fetë, e pëlqefshin apo jo idhujtarët’. Duke qenë në lutje i Dërguari (s.a.a.s), filloi që t’i dëgjojë britmat e njerëzve.

 

E ngriti kokën dhe e pa Xhebrailin (a.s) të hipur mbi një fron të artë dhe përreth tij ishin katër mijë engjëj. Ai thoshte: “Nuk ka trim tjetër përveç Aliut dhe nuk ka shpatë tjetër përveç Zulfikarit”. Pastaj, Xhebraili (a.s) zbriti te shkëmbi ku ishte fshehur Resulullahu (s.a.v.). Edhe engjëjt zbritën dhe e rrethuan e i dhanë përshëndetje të Dërguarit (s.a.v.).

 

Xhebraili tha:

O Resulullah! Për hakun e Atij që të ka falur fisnik për të udhëzuar, të gjithë engjëjt e afërt të Allahut janë duke e shikuar me habi këtë burrë (Aliun) se si është duke e flijuar jetën e tij për tëndin. Resulullahu tha: ‘Çfarë pengese mundet me pas për ta flijuar jetën e tij për timen, kur ai është prej meje dhe unë jam prej tij’.

Atëherë, Xhebraili (a.s): ‘Edhe unë jam prej juve’. Këtë e përsëriti tri herë. Pastaj, Xhebraili, Aliu dhe engjëjt u vërsulën mbi armiqtë dhe e thyen mbrojtjen e tyre. Pastaj, i Dërguari (s.a.a.s) dhe Aliu, me flamurin e përgjakur përpara, u nisën për në Medine. Kur mbërritën në Medine, gratë e Ensarëve ishin duke vajtuar për të Dërguarin (s.a.v.) dhe kur e vërejtën të Dërguarin (s.a.v.), të gjithë u tubuan përreth tij.

 

Resulullahu (s.a.v.) shkoi në xhami bashkë me ata. Të gjithë kërkuan falje nga i Dërguari (s.a.a.s) dhe e pranuan gabimin e bërë. Allahu zbriti një ajet në lidhje me ata: “Ju ishit ata që e dëshironin vdekjen para se të ballafaqoheshit me te. Ja pra, atë e patë dhe e shikuat me sytë tuaj” (Ali Imran, 143). Të gjithë ishin zotuar se do të luftojnë deri në vdekje dhe kur e panë vdekjen me sy, të gjithë ikën. Ata thanë se i Dërguari (s.a.a.s), Aliu dhe Ebu Duxhxhane ishin mbytur.

 

Allahu i Madhëruar tha: “Muhamedi është vetëm një i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar. E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa?”. Pastaj, i Dërguari (s.a.a.s) tha: “O njerëz! Ju keni menduar vetëm për jetët tuaja dhe mua më keni lënë mbrapa. Ndërsa, Aliu më ndihmoi dhe e flijoi shpirtin e tij për shpirtin tim! Çdokush që i nënshtrohet Aliut, më është nënshtruar mua dhe çdokush që rebelohet kundër tij, është rebeluar kundër meje dhe më ka braktisur në këtë dhe në botën tjetër”.

Pastaj, Huzajfe vazhdoi kështu:

“Njeriu i mençur duhet ta ketë të qartë se ai që i përshkruan ortak Allahut në asnjë moment nuk është më i virtytshëm sesa ai që nuk i përshkruan ortak Allahut! Ai që nuk e braktisur Resulullahun (s.a.v.) në betejë është më i virtytshëm sesa ai që e ka braktisur atë. Ai që ka besuar më së pari Allahut dhe Resulullahut është më i virtytshëm dhe ai është Ali bin Ebi Talibi”

 

Për Ebu Bekrin dhe Ymerin, që janë munduar që të tregohen si më të virtytshmit gjatë luftërave prej mesit të sahabeve, nuk mund të hasim në asnjë virtyt nëpër libra. Në betejën e Hajberit Ymeri e kishte marrë flamurin në dorë dhe nuk kishte mundur të arrijë asnjë sukses kështu që u detyrua që të kthehet mbrapa me ushtarët e tij. Pastaj, flamurin e mori Ebu Bekri por edhe ai u kthye pa arritur sukses. I Dërguari (s.a.a.s) u shqetësua dhe tha:

“Nesër do t’ia dorëzojë flamurin njërit që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Edhe Allahu dhe i Dërguari e Tij e duan atë.

Ai nuk do të kthehet mbrapa pa e pushtuar kalanë”.

 

Ky hadith është përmendur në të gjitha librat sahih. Këtë ngjarje mund ta lexoni qartë te Buhariu dhe Muslimi. Sigurisht, se ai që është i epërm dhe i virtytshëm në fushëbetejë nuk mund të jetë i barabartë me ata që nuk i kanë zotëruar këto tipare asnjëherë. Imam Aliu ka treguar se është më i virtytshmi në mesin e ymmetit gjatë historisë.

 

Këtu nuk jemi duke e debatuar virtytshmërinë e ndonjërit. Vetëm dëshirojmë që të dëshmojnë se ata nuk kanë asnjë vlerë afër Hz Aliut. Sepse, ymmeti është duke shkuar ende mbrapa atyre të paaftëve dhe që e kanë tradhtuar vasietin e të Dërguarit (s.a.v.). Si mund të jenë të barabartë ata që deri në moshën dyzetvjeçare i kanë adhuruar idhujt me njërin që gjatë tërë jetës së tij ka ditur vetëm për Islamin? Lëre krahasimin, ata as nuk e pranojnë se Hz Aliu ishte po aq i virtytshëm sa edhe ata!

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 157

“E sikur të ishit mbytur në rrugën e Allahut, ose t'u kishte zënë vdekja, do të gëzonit falje e mëshirë prej Allahut që është shumë më e dobishme se ajo çka ata grumbullojnë”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“A e dini se çka është rruga e Allahut?’ Njëri prej sahabeve tha: ‘Do ta dimë vetëm na e tregoni’. Imami tha: Rruga e Allahut është Imam Aliu dhe pasardhësit e tij. Çdokush që vdes duke e pranuar velajetin e Imam Aliut, ka vdekur në rrugën e Allahut. Çdokush që vritet duke e pranuar velajetin e Imam Aliut, është vrarë në rrugën e Allahut”.

 

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“Aliu është bashkë me të vërtetën. Këta të dy nuk do të ndahen asnjëherë njëri prej tjetrit”.

Nga hadithi na është bërë e qartë se çdokush që kapet për Imam Aliun, është kapur për të vërtetën. Sigurisht, që ai që është kapur për të vërtetën është kapur për rrugën e Allahut. Kapja për imam Aliun realizohet me pranimin e imametit të tij. Përndryshe, nuk do të kemi kurrfarë dobie prej fjalëve që kemi thënë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 162-163

“A është i njëjtë ai që iu bind Allahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga Allahu? Sa i keq është vend i kthimit të tyre. Ata kanë shkallë të ndryshëm te Allahu, e Allahu i sheh shumë mirë veprat e tyre”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

Kënaqësia e Allahut është Ehli Bejti! Betohem në Allah se për ata që e duan dhe e njohin Ehli Bejtin, ka shkallë te Allahu. Çdokush që e njeh Ehli Bejt sipas hakut, veprat e mira të tyre do të shpërblehen shumëfish dhe do të arrijnë në shkallë më të larta. Sa u përket atyre që e kanë tërhequr hidhërimin e Allahut, betohem në Allah se ata janë mohuesit e të drejtave të Imamëve të Ehli Bejtit. Vendi i kthimit të tyre është Xhehenemi. Sa i keq është vend i kthimit të tyre.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 185

“Çdo i gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet tuaja do të jepen të plota në ditën e kiametit. E kush i shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim. Jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Në Ditën e Kiametit do të thirret Muhamedi (s.a.v.), do të vishet me një gunë dhe do të vendoset në anën e djathtë të Arshit. Pastaj, do të thirret Ibrahimi, do t’i vishet një gunë dhe do të vendoset në anën e majtë të Arshit.

Pastaj, do të thirret Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, do t’i vishet një gunë dhe do të vendoset në anën e djathtë të të Dërguarit.

Pastaj, do të thirret Ismaili, do t’i vishet një gunë dhe do të vendoset në anën e majtë  të Ibrahimit.

Pastaj, do të thirret Hasani, do t’i vishet një gunë dhe do të vendoset në anën e djathtë të Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliut. Pastaj, do të thirret Hysejni, do t’i vishet një gunë dhe do të vendoset në anën e djathtë të Hasanit.

Pastaj, do të thirren të gjithë Imamët tjerë të Ehli Bejtit dhe do të vendosen çdonjëri në anën e djathtë të tjetrit.

 

Pastaj, do të thirren shiitët e Ehli Bejtit dhe do të vendosen përpara të gjithëve.

Pastaj, do të thirret Fatimja bashkë me gratë e shiitëve dhe të gjithë do të hynë në Xhenet pa llogaridhënie.

Pastaj, nga mesi i Arshit do të dëgjohet një zë: O Muhamed! Babai yt është prej baballarëve më të mirë dhe ai është Ibrahimi. Vëllai yt është prej vëllezërve më të mirë dhe ai është Aliu. Pasardhësit e tu janë më të mirët prej pasardhësve dhe ata janë Hasani dhe Hysejni. Fetusi më i bukur është fetusi yt dhe ai është Muhsini. Imamët më të mirë që udhëzojnë kah drejtësia janë pasardhësit e tu, që janë Imamët e mbetur të Ehli Bejtit. Shiitët më të mirë janë shiitët e tu. Dijeni mirë që Muhamedi, Aliu, pasardhësit e tij dhe Imamët prej pasardhësve tij janë prej të shpëtuarve dhe ata do të hynë në Xhenet”.

 

Ka shumë hadithe të të Dërguarit (s.a.v.) në lidhje me shiitët e tij. Një pjesë e tyre mund të gjendet edhe në librat burimor të synnitëve. Njëri prej tyre është edhe ky:

“O Ali! Në Xhenet më së pari do ë hyjmë unë, ti, Hasani dhe Hysejni. Imam Ali pyeti: Çka do të bëhet me pasardhësit tanë? I Dërguari (s.a.a.s) iu përgjigj: Ata do të jenë mbrapa neve dhe mbrapa tyre do të vijnë gratë e tyre. Ndërsa, shiitët tanë do të jenë në anën e djathtë dhe të majtë, dhe do të hyjmë bashkë në Xhenet”.

 

Nga hadithi na bëhet e qartë se çdokush që dëshiron për të hyrë në Xhenet duhet që të bëhet prej shiitëve të Aliut. Këtu duhet të mendojmë mirë për atë se çka nënkuptohet me shiitë të Aliut. Me shiitë gjegjësisht ithtar të Aliut nënkuptohet të bëhet armiku i armiqve të tij dhe kjo gjendje ka qenë shkaku i keqkuptimeve dhe i armiqësimit në mes myslimanëve për qindra vite me radhë. Nëse ndonjëri e mbante anën e Aliut, qoftë ai edhe sahabe, ai nuk duhej që të kundërshtohej.

 

Por, kështu nuk ka ndodhur gjatë historisë. Sepse, nëse njëri ka thënë se është ithtari i Hz Aliut me këtë nënkuptohej se ai ishte miku i armikut të tij. Kjo, nuk përputhet aspak me kuptimin e vërtetë të shiitit. I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë në një hadith sahih: “Aliun e duan vetëm besimtarët dhe e urrejnë vetëm jobesimtarët”.

Të dashurosh atë që është kundër Hz Aliut do të thotë të bëhesh armiku i Hz Aliut dhe asgjë tjetër! Ai sahabe që e do me të vërtetë Hz Aliun sigurisht që nuk do të mund të merr ndonjë qëndrim kundër tij, qoftë ky qëndrim i zbukuruar me ixhtihad apo i mbuluar me ndonjë çështje tjetër. Vasieti i të Dërguarit (s.a.v.) në lidhje me Ehli Bejtin, e posaçërisht për Imam Aliun, i urdhëron sahabet që të tregojnë respekt e bindje ndaj tyre.

 

Këtu nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë përjashtim. Veçanërisht, sahabet duhet që të bëhen shiitët gjegjësisht ithtarët e Hz Aliut. Kjo është thënë me kushtin e hyrjes në Xhenet. Në një hadith tjetër sahih, i Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“Padyshim, që në Ditën e Kiametit çdokush do të jetë me atë që e ka dashuruar”.

 

Duke na bërë me dije I Dërguari (s.a.a.s) në mënyrë të përgjithshme për atë se sa është efektive vlera e dashurisë, ai na e bën të ditur se sa është e dobishme dashuria për një mysliman në këtë mënyrë:

“Çdokush që tregon dashuri për mua, Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Hysejnin, në Ditën e Kiametit do të jetë në gradën time”.

Njëkohësisht, myslimanët duhet që të tregojnë dashuri edhe për njëri tjetrin. Përndryshe, nuk mund të jetë e drejtë që të flasim për imanin.

 

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“Nuk mund të jeni zotërues të imanit pa e dashur njëri tjetrin!”.

 

Këtu dëshirojmë t’ua tërheqim vërejtjen për një hollësi. Myslimanët duhet që të duan njëri tjetrin dhe njëkohësisht ta duan edhe Ehli Bejtin. Dashuria ndaj tyre është vënë si kusht dhe këtu nuk përfshihet dashuria ndaj atyre që nuk e duan Ehli Bejtin. Sepse, çdo besimtar duhet që të dashurojë dhe të urrejë për hir të Allahut. Por, vetëm me deklarimin e dashurisë ndaj Ehli Bejtin nuk mund të dëshmojmë vërtetësinë e kësaj dashurie.

Dëshmia më e madhe për shprehjen e dashurisë ndaj tyre është që të jemi në rrugën e Ehli Bejtit. Të gjitha fjalët apo veprat tjera nuk kanë asnjë vlerë. Këtu po e përmbyllim këtë temë duke dëshiruar që të gjithë myslimanët të lidhen për rrugën e Ehli Bejtin.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 193

“Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim: Besoni Zotin tuaj! Dhe, ne besuam!”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebu Talibi ishte i pari që e pranoi thirrjen dhe që besoi”

Shumica e librave burimore kanë thënë se i pari që ka besuar ishte Imam Aliu.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 195 dhe 198

“Ai është një shpërblim te Allahu, shpërblimi më i mirë është prapë tek Allahu .. e për të mirët më e dobishmja është ajo që është tek Allahu”.

 

 

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“O Ali ti je shpërblimi tek Allahu dhe sahabet që do të ndihmojnë ty janë të mirët”

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë tevilin dhe tefsirin e kësaj sureje.