Sureja Araf

 

 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 28

“Kur punojnë ata diçka të shëmtuar, thonë: Ne i gjetëm në këtë prindërit tanë. Edhe Allahu na urdhëroi këtë. Thuaju: Allahu nuk urdhëron të shëmtuarën, a thoni për Allahun atë çka nuk dini?”

 

 

Njëri prej sahabeve të Imam Xhafer Sadikut, Muhamed bin Mansur, rrëfen:

“E pyeta Imam Xhafer Sadikun në lidhje me këtë ajet.

Ai u përgjigj:

‘A e ke parë deri më tani njërin që është duke predikuar gjërat e ndaluara të Allahut, si prostitucionin apo pijet dehëse?’.

Unë i thashë: ‘Jo, nuk kam parë’.

Imami tha: ‘Cilët janë gjërat që i ka ndaluar Allahu?’.

Unë i thashë: ‘Më së miri e di i afërmi i Allahut’.

Imami tha: ‘E keqja që pretendohet se e ka urdhëruar Allahu është deklarimi se Allahu ka urdhëruar emërimin e një personi si imam të ymmetit, duke mos pasur ai të drejtën apo gradën e tillë! Këto thënie ua kthen atyre Allahu i Madhëruar dhe këtë shpifje e ka emëruar si paturpësi!”

 

Këtu na shpjegohet se është paturpësi deklarata e atyre që kanë kaluar në vendin e Imam Aliut, duke thënë se ky është urdhri i Allahut. Sigurisht që është paturpësia më e madhe braktisja e personit të cilin e ka emëruar Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe të tregohet personi i padëshiruar si i urdhëruari nga ana e Allahut.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 29

“Thuaj: Allahu më urdhëroi drejtësinë. Në çdo vend të sexhdes ktheni fytyrat e juaja kah Ai”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Drejtoni fytyrat e juaja kah Ehli Bejti”

 

Allahu i Madhëruar është prezent në çdo vend. Drejtimet e Allahut janë të shumta; ata janë të dërguarit dhe trashëgimtarët e tyre. Çdokush që i kthen fytyrat e tyre kah Imamët e Ehli Bejtit, padyshim që e ka kthyer fytyrën kah Allahu. Sepse, ata janë drejtimet që të qojnë te Allahu. Kush dëshiron që të mbërrijë te Allahu, këtë mund të bëjë vetëm përmes tyre.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 33

“Thuaj: Zoti im i ndaloi të gjitha paturpësitë (të këqijat) e hapta dhe të fshehta”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Brenda Kuranit ekzistojnë ajete me kuptime të hapura dhe të fshehta. Çdo ndalesë e Allahut është e hapur por pjesa e fshehtë e tyre janë vetë imamët (udhëheqësit) e të keqes. Çdo gjë që ka lejuar Allahu është e hapur por pjesa e fshehtë e tyre janë Imamët e Ehli Bejtit. Allahu i ka emëruar në mënyrën më të bukur Imamët e Ehli Bejtit në Kuran. Ndërsa, emrat e atyre imamëve zullumqar që i kanë pushtuar pozitat e tyre me forcë, i ka përmendur me emrat e armiqve të Tij”.

 

Allahu i Madhëruar i ka përmendur në Kuran Imamët e Ehli Bejtit në mënyrë alegorike me emra aq të bukur sa që numri i atyre emrave është disa qindra. Armiqtë e tyre i përmendi me emra aq të shëmtuar sa që, sa herë që të përmenden armiqtë e Allahut, me këtë nënkuptohen armiqtë e Ehli Bejtit. T’i përmendim disa prej emrave të bukur të Imamëve të Ehli Bejtit: Adaleti (Drejtësia), Ihsani (bamirësia), Fytyra e Allahut, Dora e Allahut, Mizani (peshorja), pronarët e Ditës së Kiametit, Litari i Allahut, etj. Ndërsa, armiqtë e tyre janë përmendur në këtë mënyrë: Taguti, Xhibti, Faraoni, Hamani, Ebu Lehebi, padrejtësia, paturpësia, e liga, errësira, zullumi...

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 40

“Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në xhenet deri të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ky ajet na bën me shenjë për ata që kanë luftuar kundër Imam Aliut në luftën e Xhemelit. Deveja që përmendet në këtë ajet ka të bëjë me devenë përreth të cilit ishin tubuar ata”.

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu ka thënë:

“Ata që i dinë përmendsh rrëfimet, sahabet e Resulullahut (s.a.v.) dhe vajza e Ebu Bekrit, Ajsha, e dinë se ata që kanë luftuar kundër meje në luftën e Xhemelit dhe të Nehrivanit janë të mallkuar nga ana e Resulullahut (s.a.v.). Këta nuk do të hyjnë në xhenet derisa të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës”.

 

Në luftën e Xhemelit, kundër Imam Aliut kishin luftuar nëna jonë Ajsha dhe ushtarët e saj. Ndërsa, në luftën e Nehrivanit kishin luftuar Harixhitë, që ishin ndarë e larguar nga ai.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 43

“Ata thonë: Falënderojmë Allahun që e arritëm këtë përmes udhëzimit. Sikur të mos na udhëzonte Allahu, ne nuk do të mund të gjejmë rrugën e drejtë”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Në ditën e Kiametit do të thirren i Dërguari (s.a.v.), Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit. Mbasi që do të vendosen nëpër vendet e tyre, njerëzit do të kalojnë përpara tyre. Kur të vijë radha shiitëve të tyre që të kalojnë para tyre, ata do të thonë: Falënderojmë Allahun që e arritëm këtë përmes udhëzimit. Sikur të mos na udhëzonte Allahu, ne nuk do të mund të gjejmë rrugën e drejtë. Pra, do të falënderojnë për përfshirjen e tyre në velajetin e Ehli Bejtit”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 44

“Një thirrës prej mesit të tyre do të thotë: Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!”

 

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë: “Unë jam thirrësi në Ditën e Kiametit”.

Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Në Kuran ekzistojnë emrat e Aliut që njerëzit nuk janë në dijeni për to. Njëri prej tyre është Thirrësi. Në ditën e Kiametit, Aliu do të thirr me zë të lartë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi ata që e kanë përgënjeshtruar velajetin tim dhe që e kanë zhvlerësuar të drejtën time”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 46

“Mbi Araf  janë burra që e njohin secilin nga shenjat e tyre”.

 

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Ne jemi ata do të qëndrojnë mbi Araf dhe ne do t’i njohim fytyrat e atyre që na kanë ndihmuar neve. Ne jemi Arafi dhe vetëm ata që e kanë njohur atë, e kanë njohur Allahun me hak. Ne jemi Arafi që Allahu në ditën e Kiametit do të na njoftojë me çdonjërin duke e kaluar urën e Siratit. Siratin do të mund të kalojnë vetëm ata që na njohin neve dhe në zjarr do të bien ata që ne do t’i mohojmë dhe ata që na kanë mohuar neve. Sikur të kishte dashur Allahu i Madhëruar, Ai do ta kishte njoftuar Veten.

Por, ai na ka caktuar neve si dyert e Tij, Sirati i Tij, rruga dhe fytyra që të drejton kah Ai”. Kush kapet për ndonjë velajet tjetër dhe e mban tjetrin më të epërm ndaj neve, padyshim që në ditën e Kiametit do të hidhet në Xhehenem. A munden me qenë të njëjtë ata që e pinë ujin e turbullt me ata që pinë prej ujit tonë të rrjedhshëm e të pandërprerë, që rrjedhin me urdhrin e pastër të Allahut?”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ne, Imamët, jemi ata që do të qëndrojmë mbi Araf. Sikur që e dimë se kush i ka zemrat e pastra dhe kush i ka zemrat e liga ashtu edhe e dimë se kush do të hyjë në Xhenet dhe kush do të hyjë në Xhehenem!”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Mbi Araf do të qëndrojnë Imamët e Ehli Bejtit”.

 

Në një rrëfim tjetër thotë:

“Arafi është një vend në mes Xhenetit dhe Xhehenemit. Në atë vend do të qëndrojnë Resulullahu (s.a.v.), Aliu Hasani, Hysejni, Fatimja dhe Hatixhja dhe do të bëjnë këtë thirrje: Ku jeni ata që na keni dashur neve, ku jeni shiitët tanë? Atëherë, të dashurit e tyre dhe shiitët e tyre do të shkojnë drejt tyre. Ata do t’i njohin përmes emrave të tyre dhe emrave të baballarëve të tyre. Pastaj, do t’i marrin ata për dore dhe do të shkojnë në Xhenet duke kaluar mbi urën e Siratit”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Ti dhe të besueshmit (Imamët) që do të vijnë mbas teje jeni Arafi. Njohja e Allahut do të bëhet vetëm përmes juve. Në Xhenet do të hyjnë vetëm ata që i njihni ju dhe ata që ju njohin juve. Në Xhehenem do të hyjnë vetëm ata që ju mohojnë dhe ata që ju i mohoni”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 69

“Përkujtoni begatitë e Allahut që të gjeni shpëtim”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Begatia e Allahut është velajeti ynë. Kjo është një begati më e madhe që u është dhënë njerëzve”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 157

“Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që iu zbrit me të; të tillët janë të shpëtuarit”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Drita që ka zbritur bashkë me të Dërguarin (s.a.v.) është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”.

Për ta konfirmuar këtë, në librin ‘Menakib’ të imamit të mez-hebit hanbelit, Ahmed bin Hanbelit mund ta lexoni këtë hadith:

“Unë dhe Aliu ishin një dritë (nur)”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 172

“Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): A nuk jam Zoti juaj? Ata thanë: Po, dëshmuam! Të mos thoni në ditën e kiametit: “Ne nuk kishim njohuri për këtë”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Allahu i Madhëruar kishte marrë nga njerëzit besën për Zotin i tyre, për të dërguarin e tyre dhe për imametin e urdhëruesit të besimtarëve dhe të imamëve tjerë nga Ehli Bejti.

Pastaj, i pyeti ata: ‘A nuk jam unë Zoti juaj, Muhamedi pejgamberi juaj, Aliu urdhëruesi juaj dhe Imamët e Ehli Bejtit të epërmit tuaj’. Ata thanë: ‘Po’ (kalu bela). Disa e kishin dhënë fjalën me gojë dhe disa me zemër”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Sikur të kishin ditur njerëzit kohën kur Aliu e kishte pranuar tiparin (sifat) e Urdhëruesit të Besimtarëve, ata nuk do ta mohonin virtytin e tij. Kur Aliu e pranoi këtë tipar, Ademi ishte në mes shpirtit dhe trupit”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë sahabeve të tij:

“I pari që do të hyjë brenda kësaj dere është urdhëruesi i besimtarëve, më mbari prej trashëgimtarëve, i pari prej njerëzve që e ka pranuar Islamin, më i dituri prej mesit të tyre dhe më i pari në butësi”. Enes bin Maliku ishte duke pritur te dera dhe tha:

‘O Allah! Bëre që ky njeri të jetë prej fisit tim (Ensarëve)’. Mbas pak hyri brenda Ali bin Ebi Talibi. I Dërguari (s.a.v.) u gëzua shumë dhe tha: “O Ali! Ti je prej meje dhe unë jam prej teje”. Vendim tim do ta plotësosh ti. Ti do t’i zbatosh premtimet e mija. Ti do më pastrosh dhe varrosësh mbasi që të vdes. Ti je zëri im për njerëzit mbas meje. Ti je zgjidhësi i mosmarrëveshjeve mbas meje!”

 

Resulullahu (s.a.v.) i tha gruas së tij, Ummu Selemes:

“Dëgjo dhe bëhu dëshmitar se Aliu është zotëria i myslimanëve dhe i besimtarëve”.

 

Njërit prej sahabeve të mëdhenj, Ebu Zerrit, i kanë thënë:

‘Sikur të kishe lënë ndonjë amanet!’. Ai tha: ‘Kam lënë amanet’. Ata thanë: ‘Kujt ia ka lënë amanet’.

Ai u përgjigj: ‘Kam lënë amanet urdhëruesit të besimtarëve’.

Ata thanë: ‘Osmanit?’. Ai u përgjigj: ‘Jo, ia kam lënë amanet urdhëruesit të vërtetë të Besimtarëve, Ali bin Ebu Talibit! Ai është i zoti i sipërfaqes së tokës dhe i këtij ymmeti! Nëse e humbni atë, do të bëheni prej mohuesve të çdo gjëje mbi sipërfaqen e tokës!”

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Burejde bin Husajbi, rrëfen:

“Resulullahu (s.a.v.) më ka thënë në lidhje me gjashtë persona, në mesin e të cilëve ishin edhe Ebu Bekri, Ymeri, Talha dhe Zybejri: Jepni përshëndetje (jepjani bejatin) Aliut si urdhërues të besimtarëve! Të gjithë ia dhamë përshëndetjen Aliut dhe Resulullahu ishte në jetë”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Kur isha në Miraxh, në qiellin e katërt Xhebraili (a.s) e thirri ezanin dhe ikametin, dhe të gjithë pejgamberët, të besueshmit, shehidët dhe engjëjt u tubuan. Kalova përpara tyre dhe e falëm namazin e përbashkët. Mbas namazit, Xhebraili (a.s) më tha: ‘Pyeti ata se çka kanë dëshmuar?’. Mbasi që i pyeta, ata m’u përgjigjën: ‘Ne dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, se ti je i dërguari i Tij dhe se Aliu është Urdhëruesi i Besimtarëve”.

 

Hz Aliu e pëlqente që të shkojë te i Dërguari (s.a.v.) në kohën e drekës, para të gjithëve.

Një ditë, i Dërguari (s.a.v.) e kishte mbështetur kokën te prehri i Dihjet’ul Kelbit dhe ishte duke fjetur, kur hyri Imam Aliu. Imam Aliu e përshëndeti atë dhe e pyeti se si ishte gdhirë i Dërguari (s.a.v.). Dihje tha: ‘Paqja qoftë mbi ty, o Ali. I Dërguari (s.a.v.) ka gdhirë mbarë’. Imam Aliu pyeti: ‘Allahu të dhëntë të mbara ty prej neve, Ehli Bejtit’. Dihje i tha: ‘O Ali! Unë të dua ty dhe dëshiroj që të tregoj ty elegjinë që e kam thurë për ty:

Ti je urdhëruesi i besimtarëve, lideri i atyre që i kanë duart e këmbët e pastër.

Ti je zotëria e djemve të Ademit, duke mos i përfshirë pejgamberët.

Në ditën e Kiametit në dorën tënde do ta jetë flamuri i falënderimit.

Ti dhe shiitët tuaj do të hyni në Xhenet bashkë me Muhamedin.

Ka shpëtuar ai që të ka dashur ty dhe ka humbur ai që të urren ty.

Ata që e duan Muhamedin, ata të duan ty; ata që e urrejnë Muhamedin, ata të urrejnë ty.

Të tillët nuk do të arrijnë kurrë ndërmjetësimin e Muhamedit.

O i zgjedhuri i Allahut! Afrohu dhe merre kokën e djalit të xhaxhait tënd, Muhamedit, sepse ti ke më shumë drejtë për këtë sesa unë”.

Hz Aliu u afrua dhe e mori kokën e të Dërguarit (s.a.v.) prej prehrit të Dihjes dhe e vendosi në prehrin e tij. I Dërguari (s.a.v.) u zgjua nga gjumi dhe tha: ‘Çka janë këto fjalë?’ Hz Aliu ia tregoi ngjarjen dhe Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Ai që foli me ty nuk ishte Dihje por Xhebraili! Ai të ka përmendur me emrin me të cilën të ka emëruar Allahu. Ai është që dashurinë ndaj teje i vendos në zemrat e besimtarëve dhe ai është që e fut frikën për ty në zemrat e jobesimtarëve”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Të lumtë për ata që të duan ty dhe mjerë për ata që të urrejnë ty!

O Ali! Ti je dituria për këtë ymmet. Ka shpëtuar ai që të dashuron ty dhe është shkatërruar ai që të urren ty!

O Ali! Unë jam qyteti i diturisë dhe ti je dera e tij!

O Ali! Ti je urdhëruesi i besimtarëve dhe lideri i atyre që i kanë duart e këmbët e pastër.

O Ali! Ti dhe shiitët tuaj jeni përmendur në Tevrat ende pa u krijuar. Njëkohësisht, përkujtimi i juaj është edhe te Bibla, diturinë e të cilit të ka dhënë ty Allahu. Lexuesit e Biblës e përmendin Ilijjën dhe shiitët e tij por nuk i njohin ata. Ti dhe shiitët tuaj jeni përmendur në librat e tyre.

O Ali! Lajmëroji sahabet e tua se përmendja e tyre në qiell është më madhështore dhe më e virtytshme sesa përmendja e tyre në tokë. Le të gëzohen për këtë dhe le të binden për këtë. Shiitët e tu janë në rrugën e drejtë dhe të hakut!”.

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Abdullah bin Abbasi, rrëfen:

“Një ditë i Dërguari (s.a.v.) ishte ulur bashkë me sahabet dhe drejt tyre ishte duke ardhur Hz Aliu.

Aliu tha: ‘Paqja qoftë mbi ty o Resulullah (s.a.v.)!’ I Dërguari (s.a.v.) i tha: “Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë edhe mbi ty o urdhëruesi i besimtarëve!’

Aliu pyeti: ‘A vetëm derisa jeni në jetë?’

Resulullahu tha: ‘Po, derisa jam në jetë.

O Ali! Më herët ishim duke biseduar unë me Xhebrailin (a.s) dhe ti kalove afër neve pa na përshëndetur. Xhebraili tha: ‘Athua pse nuk na përshëndeti Urdhëruesi i Besimtarëve?

Betohem në Allah se sikur të na kishte përshëndetur ne do të ishim të lumtur dhe do ta përshëndetnim edhe ne’.

Hz Aliu tha: ‘O Resulullah! E pashë se ti ishe bashkë me Dihjen duke biseduar dhe nuk desha t’ju ndërpres bisedën’.

Resulullahu tha: ‘Ai nuk ishte Dihje por Xhebraili.

Dhe unë e pyeta: O Xhebrail! Pse e ke quajtur Aliun si Urdhërues të Besimtarëve?’

Xhebraili tha: Engjëjt gëzohen kur e shohin urdhëruesin e besimtarëve Aliun duke luftuar me shpatë në mes dy grupeve.

Për këtë arsye Allahu e emëroi atë në qiell Urdhëruesi i Besimtarëve.

O Ali! Ti je urdhëruesi i atyre që janë në qiej e në tokë, ti je urdhëruesi i të mëhershmëve dhe të mëvonshmëve! Para dhe mbas teje nuk ka pasur dhe nuk do të ketë urdhërues! Nuk është e lejuar emërimi i ndonjërit tjetër me këtë titull me të cilin Allahu e ka emëruar Aliun”.

 

Në një vend tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Po flas për hakun e Atij që ka dërguar mua si përgëzues dhe frikësues me dënimin e Allahut: para se të stabilizohen Arshi dhe Kursi, para se të rrotullohen planetët, para se të ngrihej qielli, është shkruar mbi të: Nuk ka Zot përveç Allahut, Muhamedi është i dërguari i Tij dhe Aliu është urdhëruesi i besimtarëve! Kur shkova në Miraxh, Allahu i Madhëruar më tha:

O Muhamed! Unë jam Mahmudi dhe ti je Muhamedi, emrin tënd e kam dhënë prej emrit Tim dhe të kam bërë më të virtytshmin prej të gjitha krijesave.

Vëllanë tënd Aliun e kam bërë drejtues të fesë mbas teje.

O Muhamed! Unë e kam caktuar Aliun si Urdhërues të Besimtarëve dhe çdokush që mundohet që të bëhet udhëheqësi i tij, do të ballafaqohet me mallkimin Tim. Çdokush që e kundërshton atë, do ta shijojë dënimin Tim. Çdokush që i nënshtrohet atij, atë do ta bëjë të afërm ndaj Meje.

O Muhamed! Unë e kam falur Aliun si Imam të myslimanëve. Kush kalon përpara tij, Unë do ta lë atë mbrapa dhe çdokush që rebelohet kundër Aliut, atë do ta afroj te Xhehenemi. Aliu është i pari i trashëgimtarëve të të dërguarve, lideri i atyre që i kanë duart dhe këmbët e pastra dhe dëshmia për të gjithë krijesat e Mija”.

 

Çdokush që i beson asaj që e ka sjellë i Dërguari (s.a.v.), duhet që të besojë e të pranojë se Imam Aliu është kalifi dhe Imami i këtij ymmeti. Të gjithë njerëzit janë zotuar për imametin e Imam Aliut që nga fillimi i krijimit. Llogaria e fjalës së dhënë do të kërkohet prej Kalu Belasë deri në fundit e botës. Imam Aliu ka thënë:

“Një besimtar nuk do të bëhet armiku im edhe nëse ia pres kokën dhe mynafiku nuk do të bëhet miku im edhe nëse ia fali tërë pasurinë e botës”.

Këto fjalë të Imam Aliut janë folur që të na bëjnë me dije për premtimin e dhënë gjatë fillimit të krijimit. Këto fjalë janë duke na reflektuar esencën e premtimit të dhënë në Kalu Bela. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Nuk më kanë besuar kurrë ata që besojnë mua dhe që e përgënjeshtrojnë Aliun”. Në këto fjalë të lartësuara na bëhet me dije për premtimin e dhënë në fillimin e krijimit. Si mund të pranohet Pejgamberi dhe të mohohet veliu?

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 180

“Allahu ka emrat më të bukur, andaj lutuni Atij me ata e hiquni nga ata që devijojnë në lidhje me emrat e Tij. Ata do të shohin dënimin për veprat e tyre”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Betohem në Allah se ne jemi emrat më të bukur. Sigurisht që nuk do të pranohet lutja e atyre që nuk na njohin neve”.

Imam Ali Riza ka thënë:

“Kur t’ju kaplojë ndonjë vështirësi, kërkoni ndihmë dhe mbrojtje prej Allahut përmes neve (Ehli Bejtit). Në lidhje me këtë, Allahu ka thënë: Allahu ka emrat më të bukur, andaj lutuni Atij me ata”.

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Xhabir bin Abdullah Ensari, rrëfen:

‘Një ditë e pyeta Resulullahun: ‘Ja Resulullah! Çka thua në lidhje me Ali bin Ebu Talibin?’

Resulullahu më tha: ‘Aliu është nefsi im’.

E pyeta: ‘Çka thua në lidhje me Hasanin dhe Hysejnin’.

Resulullahu u përgjigj: ‘Ata janë shpirti im. Nëna e tyre Fatimja është vajza ime. Kush e zemëron atë më ka zemëruar mua dhe kush e gëzon atë, më ka gëzuar mua. Allahu u bëftë dëshmitar se kush i lufton ata, ai është në luftë edhe me mua. Kush është në paqe me ata, ai është në paqe edhe me mua. O Xhabir! Nëse do që të pranohet lutja jote, përmendi emrat e tyre gjatë lutjes. Emrat më të dashur të Allahut të Madhëruar janë emrat e tyre”.

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Unë jam emrat e bukur (Esma-ul Husna) me të cilët Allahu ka urdhëruar që të luteni”.

Në një vend tjetër, ka thënë:

“Emri më i madh (Ismi Azam) i Allahut i ka shtatëdhjetë e tre shkronja. Shtatëdhjetë e dy prej tyre gjenden tek unë”.

 

Çka duhet të themi për ata mysliman që vdesin pa e ditur se kush janë Ehli Bejti?

Lëreni lutjen përmes emrave të tyre, por shumë të paktë janë ata që dinë se kush janë Ehli Bejti. Çka duhet t’u themi atyre myslimanëve që i ndërrohet ngjyra e fytyrës së tyre kur përmendet emri i Ehli Bejtit?

Në një vend ku është i vogël numri i atyre që e përmendin Ehli Bejtin, do të jetë përfundimi i dhimbshëm për ata nuk e dinë identitetin e tyre. Sepse, Allahu ka thënë: “Ata do të shohin dënimin për veprat e tyre”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 181

“Prej mesit të krijesave është një ymmet që e tregojnë të vërtetën dhe me të e zbatojnë drejtësinë”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“ Ne jemi ymmeti që e tregojnë të vërtetën dhe e zbatojnë drejtësinë”.

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Ky ymmet do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe; shtatëdhjetë e dy janë të Xhehenemit ndërsa në Xhenet do të shkojë grupi që e tregojnë të vërtetën dhe e zbatojnë drejtësinë. Ata janë unë dhe shiitët e mijë”.

 

Ka të tillë që thonë se grupi që do të shpëtojë është Ehli Synneti vel Xhemaati. Se kjo nuk është e saktë, këtë na e vërtetojnë Kurani dhe hadithet e shumta. Kurani na tregon se ata që besojnë, që janë të drejtë dhe që i kanë mbetur besnik fesë janë pakica. Askush nuk kundërshton se grupi që i thotë vetes Ehli Synnet vel Xhemat është grupi më i madh në mesin e myslimanëve. Në lidhje me Ehli Synnet dhe Xhematin ekziston një hadith i të Dërguarit (s.a.v.), i cili thotë:

“Aliu dhe shiitët e tij janë ata që do të shpëtojnë në ditën e Kiametit”.

 

Saktësinë e këtij hadithi e vërteton edhe një hadith tjetër i të Dërguarit (s.a.v.): “Ehli Bejti është sikur anija e Nuhut në mesin e ymmetit. Do të shpëtojë ai që hip në anije dhe do të shkatërrohet ai që kundërshton”.

 

Askush nuk kundërshton se grupi që vepron sipas pikëpamjes së dymbëdhjetë Imamëve të Ehli Bejtit njihen si shiitë. Ndërsa, ata që njihen si Ehli Synnet vel Xhemat veprojnë sipas pikëpamjeve të Ebu Hanifes, Malik bin Enesit, Shafiut dhe Ahmed bin Hanbelit. Edhe këtu nuk ka kurrfarë mospajtimi. Nëse e shikojmë kuptimin e vërtetë të Ehli Synnet vel Xhematit do të vërejmë se kjo thënie është e denjë vetëm për Imamët e Ehli Bejtit, sepse ata janë anija shpëtuese e këtij ymmeti. Sigurisht që anija shpëtuese duhet të jetë pronari i Ehli Synnet vel Xhematit.

 

Por, fakti që ky xhemat është i vogël nuk na tregon se ata janë në rrugën e gabuar. Sikur që thamë edhe më lart, prej fillimit të kësaj bote e deri më sot të drejtët ishin të paktë në numër, pra pakicë. Allahu i Madhëruar na ka treguar mjaft qartë në Kuran se Imamët e Ehli Bejtit janë të pastër prej të gjitha papastërtive. Duke qenë prezent Imamët e pastër të Ehli Bejtit, sa mundet me qenë e drejtë që të pranojmë për imam njerëzit që nuk është e qartë prejardhja dhe identiteti i tyre?

Duke qenë prezent Imamët të Ehli Bejtit, të pastruar e të shpëtuar prej të gjitha dobësive të njeriut, cili është kuptimi i pranimit për imam të njerëzve që i përmbajnë të gjitha dobësitë e njeriut në vete? Duke qenë prezent Imamët e Ehli Bejtit që na tregojnë të vërtetën dhe e zbatojnë drejtësinë, a ka hije që të mësojmë prej të tjerëve të vërtetën dhe kufijtë e drejtësisë, prej njerëzve që janë detyruar që të bëhen imam?

 

Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon kjo sure.